Blog Post

Arbëria TV > Lajme > SHBA-të kërkojnë që të lejohet regjistrimi bashkësive fetare pavarësisht numrit të anëtarëve

SHBA-të kërkojnë që të lejohet regjistrimi bashkësive fetare pavarësisht numrit të anëtarëve

Në dëgjimin publik për projektligjin e Lirive Fetare, Ambasada Amerikane në Kosovë ka kërkuar që të lejohet regjistrimi i bashkësive fetare pavarësisht numrit të anëtarëve dhe kohëzgjatjes së atij grupi fetar në Kosovë. Ndërsa, vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se ky projektligj mundëson regjistrimin zyrtar edhe të bashkësive fetare që janë të vogla dhe të reja në Kosovë.

Kurti u shpreh se një nga qëllimet e këtij projektligji është përditësimi i kornizës ligjore për liritë fetare, me synim të rritjes përputhshmërinë e saj me të drejtat e njeriut.

Ai tha se me këto ndryshimet po tregohet se Qeverisë së Kosovës e merr seriozisht që liria fetare të garantohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.

Kurti: Projektligji do tu ofroj sa më shumë bashkësive fetare mundësinë për tu regjistruar zyrtarisht

“Republika e Kosovës edhe tani qëndron mjaftë mirë sa i përket respektimit të lirisë fetare…Një ndër kategoritë që Kosova ka shënuar performancën më të mirë në vitin 2022 është kategoria e garantimit efektiv të lirisë, mendimi dhe fesë. Mirëpo, si në të gjitha fushat edhe në këtë fushë qeveria jonë synon të arrij një standard sa më të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, liria fetare zë një vend t veçantë në një shoqëri të lirë dhe të hapur siç është Kosova. Një ndër qëllimet më të rëndësishme të projektligjit që do të diskutohet është pikërisht qëllimi për të ruajtur dhe promovuar këtë pluralizëm fetar. Projektligji në fjalë do tu ofroj sa më shumë bashkësive fetare mundësinë për tu regjistruar zyrtarisht, në këtë mënyrë edhe ato bashkësi që janë relativisht të vogla dhe të reja në Kosovë do të përfitojnë të drejtat të plota dhe të barabarta me ato që janë më të mëdha”, u shpreh Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca deklaroi se edhe Kosova si një vend demokratik e pluralist respekton të drejtat dhe liritë fetare.

Sipas tij ndonëse Kosova njihet si vend me diversitet fetare, asnjëherë nuk është ballafaquar me konflikte fetare.

Kryeparlamentari, Konjufca tha se përmes ndryshimeve që parashihen krijohet personaliteti juridik i bashkësive fetare, dhe është vendosur edhe një kornizë ligjore e kritereve që duhet plotësuar për tu regjistruar si bashkësi fetare.

Konjufca: Me këto ndryshime po sigurohet zotësia juridike e bashkësive fetare

“Ajo që ka munguar tash për bashkësitë fetare ka qenë personaliteti i tyre juridik, kjo është thelbi ma merr mendja i projektligjit. Për shkak të kësaj mangësie në legjislacionin tonë të deritanishëm ka munguar zotësia juridike e bashkësive fetare për t’i ushtruar disa të drejta të tyre fondamentale që janë madje edhe si standarde ndërkombëtare e këto lidhen me statusin juridik të vetë entitetit, të vetë bashkësisë fetare që duhet ta ketë të drejtën e vetë zotërimit të pronës të marrjes me qera të pronës, të mbajtjes së llogarisë zyrtare bankare, punësimin e punëtorëve. Tjetra është që Qeveria krijon mekanizma dhe institucione përmes të cilave i regjistron këto bashkësi fetare e mbi të gjitha e themelon një komision që enkas do të merret me këtë punë dhe i përcakton ky projektligj kriteret përmes të cilës bashkësitë e reja fetare që duan të regjistrohen në Kosovë janë 6 kritere që duhet t’i plotësojnë. Pra, është përbrenda një kornize të përcaktuar ligjore të kritereve dhe kushteve duhet plotësohen ashtu që bashkësitë fetare të mund të fitojnë statusin juridik”, theksoi ai.

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier i cili kërkoi që Projektligji për Liritë Fetare t’ua mundësoj të gjitha bashkësive fetare të regjistrohen pavarësisht numrit të anëtarëve.

Ai tha se me këto ndryshime do të mund të zgjidhen shumë nga problemet përfshirë edhe aspektin e statusit ligjor për grupet fetare.

Hovenier: Të lejohet regjistrimi i bashkësive fetare pavarësisht madhësisë dhe kohëzgjatjes

“Kemi theksuar mungesën e statusit ligjor për grupet fetare si e metë e rëndësishme që i bënë pakicat fetare të cenueshme nga diskriminimi dhe për më shumë se 1 dekadë kemi nxitur Qeverinë që të miratoj ndryshimet në liritë fetare për të trajtuar pikërisht këto probleme. Ndryshimet e propozuara para pothuajse 10 viteve kanë kërkuar 50 anëtarë si minimum për të regjistruar e jo 100 siç në projektligjin e tanishëm. SHBA rekomandon heqjen e ndonjë apo çdo reference për numrin më të vogël dhe do ta vë në pah se ka edhe shtete të tjera të cilat janë në vijë me politikën e SHBA për asnjë kërkesë për regjistrim…edhe njëherë e theksoj se është e rëndësishme të diskutohet çështjet e gjithpërfshirjes kur shqyrtohen këto ndryshime ligjore do të ishte më mirë që të gjitha bashkësitë fetare të lejohen të regjistrohen pa marr parasysh madhësinë e tyre apo kohëzgjatjen që sa kohë janë duke ushtruar besimin në Kosovë dhe të mos krijohen pengesa që krijon shprehjen individuale apo kolektive të besimit”, u shpreh ai.

Krahas krerëve qeveritar e institucional në këtë dëgjim publik morën pjesë edhe përfaqësues të bashkësive fetare në Kosovë. /TV Arbëria