Të fundit:

Haziri për qeverisjen e VV-së në Gjilan: Mirësevini në Komunën e Skandaleve

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, vazhdon me kritika ndaj...

“Të kemi rrëzu prej provimit”, “Je sharlatan”, shpërthen zënka mes Ramabajës e Zekës

Dy analistët e rregullt televiziv kanë pasur një duel...

Situata në veri mund të përkeqësohet, thotë shefi i EULEX-it

Çështja e sigurisë në veriun e Kosovës po përmendet...
ISP BroadcastISP Broadcast

‘Brezovica 1’, dënohet me 15 mijë euro i akuzuari që pranoi fajësinë për ndotje e shkatërrim të mjedisit

Extra AL PVC

I akuzuari në rastin “Brezovica 1”, Rijad Hasani është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Gjykatësi i kësaj çështje Ilir Bytyqi ka njoftuar se i akuzuari Rijad Hasni me avokatin mbrojtës, Mexhid Syla, kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Sipas marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, i akuzuari Rijad Hasani është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve dhe 10 mijë euro gjobë, i cili dënim me burg me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

Gjithashtu sipas këtij aktgjykimit, i akuzuari Hasani është obliguar të bëjë kompensimin e dëmit për Drejtorinë e Parkut Kombëtar Sharri, në shumë prej 10 mijë euro, të gjitha në afat prej 30 ditëve nga pranimi i marrëveshjes për pranim fajësie nga ana e Gjykatës.

Paraprakisht, seanca për këtë rast është shty në mungesë të mbrojtësit të njërit nga të akuzuarit në këtë rast, andaj kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi mori aktvendim në bazë të të cilit ka veçuar procedurën ndaj të akuzuarit Rijad Hasani pasi që i njëjti kishte arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ndërsa për të akuzuarit e tjerë seanca e sotme u shty.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Grainca, avokati Arsim Bilalli, kishte njoftuar gjykatën përmes emailit, se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantoj në seancën e sotme, ndërsa i njëjti nuk ka sjellë avokat zëvendësues për këtë seancë.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 9 gusht 2023, prokurori Rasim Maloku është tërhequr nga akuza ndaj të akuzuarve Dimitrije Reciceviq dhe Sanije Geci, ndërsa të akuzuarit Naser Kelmendi dhe Labinot Vitija janë deklaruar të pafajshëm. Në atë seancë kishte munguar i akuzuari Sula, me ç’rast gjykatësi Bytyqi caktoi seancë më 6 shtator 2023 vetëm për të akuzuarin Sula, por ai kishte munguar sërish për shkaqe shëndetësore.

Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues kishte marrë aktvendim në bazë të së cilit është veçuar procedura ndaj të akuzuarit Gentjan Sula, për të cilin seanca fillestare u mbajt më 05 shkurt 2024 ku i njejti është deklaruar i pafajshëm rreth akuzës.

Të akuzuar në këtë aktakuzë të rastit “Brezovica1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

Më 1 shkurt 2024, tre të akuzuar Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj janë dënuar 65 mijë euro (së bashku) për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Dimitrije Reciceviq akuzohej se nga viti 2014 e deri më 9 gusht 2019, në Shtërpcë, si person zyrtar-drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit pasuror për personat tjerë, në atë mënyrë që ka lëshuar të paktën 20 leje ndërtimi në vikend-zonën e Brezovicës, në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri, ku ndërtimi është rreptësisht i ndaluar, në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar Sharri.

Gjithashtu thuhet se ka lëshuar leje ndërtimore në zonën e tretë, për objektet hoteliere “Rezonanca”, “Rimida” dhe “Arena”, si dhe për vikend-shtëpiza për personat fizikë Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat ndërtime kanë degraduar ambientin në këtë zonë turistike si dhe kanë dëmtuar ujërat e Lumit “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dizpozitivit të dytë të aktakuzës, Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami akuzohen se nga viti 2014 e deri më 9 gusht 2019, në Shtërpcë, si persona zyrtarë-inspektorë komunalë të ndërtimit, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, në atë mënyrë që nuk kanë ndërmarrë veprimin për ndalimin e ndërtimit në vikend-zonën e Brezovicës, në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri, të 6 objekteve vikend-shtëpiza të pronarit Riad Hasani, për të cilat objekte ishin anuluar lejet e ndërtimit nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës.

Aktakuza thotë se ata nuk kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e ndërtimit në zonën e tretë të Parkut të objektit vikend-shtëpizë të Sanije Gecit e cila kishte tejkaluar lejen ndërtimore, si dhe ka ndërtuar një pjesë të objektit mbi lumin “Murzhica” si dhe të aneks-objektit të Dalibor Trifunoviqit, i cili kishte ndërtuar pa leje ndërtimore, të cilat ndërtime janë në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat në Kosovë, të cilat kanë degraduar mjedisin dhe kanë dëmtuar ujërat e lumit “Murzhica”.

Me këtë, ata akuzohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, Gentjan Sula akuzohet se nga viti 2012, në zonë turistike të Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, si person përgjegjës – investitor i ndërmarrjes “Stela Consulting” SHPK me seli në Prishtinë, ka degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica”, në atë mënyrë që ka kontraktuar kryesit e punëve “Quka CO” me pronar Alban Quka, ndërtimin e 22 vikend-shtëpizave, duke bërë gërmime dhe prerje të pyjeve në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin mbi Pyjet, si dhe të objektit hotelier disakatësh – 2B+p+2+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” kapitulli V, si dhe të Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke ndërtuar në afërsi dhe mbi lumin “Murzhica”, me çka është degraduar ambienti në këtë pjesë të parkut si dhe është dëmtuar lumi “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Naser Kelmendi akuzohet se nga viti 2014, në zonën turistike te Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si person përgjegjës i ndërmarrjes “Nic Holding” dhe parcelave kadastrale nr.6818/26, 6419/35, 6380/1, 6962/1, 6419/20 dhe 6419/34 ZK Verbeshticë, ka ndërtuar objekte banesore vikend-shtëpiza, si fshat turistik, pa pëlqim mjedisor dhe pëlqim të ujërave në afërsi të lumit “Murzhica”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe të Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke dëmtuar drunjtë, tokën dhe ujin, të cilat vikend shtëpiza pastaj ia ka shitur personave fizikë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Arian Idrizaj akuzohet se nga fundi i vitit 2010, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si person i autorizuar i investitorit UMSH “Rezonanca” në Prishtinë, në ngastrën kadastrale numër 6382/2 ZK Shtërpcë, e cila gjendet në zonën e tretë të Parkut, përmes firmës ndërtimore PRO ARK, ka filluar ndërtimin e objektit afarist, duke vazhduar me aneks ndërtimin në vitin 2011 si dhe mbindërtimin në vitin 2014, duke ndërtuar objektin shumëkatësh 2B+P+4+NK, pa pëlqimin e MMPH-së për vlerësimin e ndikimit një mjedis dhe vlerësimin strategjik mjedisor, duke dëmtuar drunjtë dhe tokën, në kundërshtim me planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Tutje, Labinot Vitija akuzohet se nga viti 2012, në zonën turistike të Parkut Kombëtar Sharri në Brezovicë, ka degraduar mjedisin, duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5713/6, ka ndërtuar 5 vikend-shtëpiza në zonën e dytë dhe të tretë të parkut, në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe një objekt hotelier WOODLAND disa katësh, pa leje ndërtimi, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Fatmir Grainca akuzohet nga Prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Blerim Imeri akuzohet se nga viti 2016, në zonën turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale në sipërfaqe prej 30 ari ZK Verbeshticë, ka kontraktuar ndërtimin e disa vikend-shtëpizave me ndërmarrjen ndërtimore “Quka – CO”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat vikend-shtëpiza ia ka shitur personave fizikë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Sanije Geci akuzohej në fillim të vitit 2016, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronare e parcelës kadastrale nr.5799/16 dhe 5799/17, ka filluar ndërtimin e objektit banesor – vikend shtëpizë B+P+1+NK, me sipërfaqe prej 835.14 m2 , kurse gjatë ndërtimit ka ndërruar destinimin e objektit në objekt hotelier “Kaona Hotel”, duke ndërtuar pa leje aneks objekt, në afërsi të lumit “Murrzhica” në distancë 1.90 m.

Kurse, thuhet se një pjesë e objektit në pronën ujore prej 2,95 m, me një sipërfaqe të përgjithshme të objektit prej 1821.56 m2, i cili ndërtim është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Me këtë, ajo akuzohej se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Në dispozitivin e fundit të aktakuzës, Riad Hasani akuzohet se nga 24 korriku 2017 e deri në fund të vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale nr.5713 në sipërfaqe prej 1 hektar e 32 m2 , përmes firmës ndërtimore “Quka CO” ka ndërtuar 6 vikend shtëpiza në zonën e dytë të parkut edhe pse lejet ndërtimore ishin anuluar sipas vendimit të Drejtorisë për Planifikim, Rindërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Shtërpcës, të 24 korrikut 2017, si dhe ka ndërtuar objektin afarist – hotelier “Rimida” – B+P+4+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit./BetimipërDrejtësi

 

 

spot_img

Të fundit

Haziri për qeverisjen e VV-së në Gjilan: Mirësevini në Komunën e Skandaleve

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, vazhdon me kritika ndaj...

“Të kemi rrëzu prej provimit”, “Je sharlatan”, shpërthen zënka mes Ramabajës e Zekës

Dy analistët e rregullt televiziv kanë pasur një duel...

Situata në veri mund të përkeqësohet, thotë shefi i EULEX-it

Çështja e sigurisë në veriun e Kosovës po përmendet...

Hoxha deputetëve të PDK-së: Pse merreni me Kurtin kur s’keni kapacitet në vendimet e tij

Analisti politik, Ylli Hoxha, iu drejtua deputetëve të Partisë...

Haziri për qeverisjen e VV-së në Gjilan: Mirësevini në Komunën e Skandaleve

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, vazhdon me kritika ndaj qeverisjes komunale në Gjilan nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai thotë se për tri vjet qeverisje nga ana...

“Të kemi rrëzu prej provimit”, “Je sharlatan”, shpërthen zënka mes Ramabajës e Zekës

Dy analistët e rregullt televiziv kanë pasur një duel sot paradite. Zënka e tyre ka pasur të bëjë me përgatitjen akademike. Ndonëse zënkë simpatike, kjo...

Situata në veri mund të përkeqësohet, thotë shefi i EULEX-it

Çështja e sigurisë në veriun e Kosovës po përmendet gjithmonë e më shpesh pas sulmit të armatosur në Banjskë, dhe mes paralajmërimeve të autoriteteve...