Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Në “Ditët kundër dhunës”, Kosova përballet me rastet më të rënda të dhunës

Në “Ditët kundër dhunës”, Kosova përballet me rastet më të rënda të dhunës

Pikërisht në ditën kur filloi fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” një grua në Kosovë vdiq si pasojë e dhunës së shkaktuar nga bashkëshorti i saj. Pak ditë më pas, një grua tjetër ishte viktimë e dhunës nga bashkëshorti. Ajo do të sillte në këtë botë një jetë të re, por kjo iu mohua dhunshëm.

Në natën e 30 nëntorit, një natë me shi, kjo grua që do të bëhej nënë në vend që të shkonte në shtëpi më fëmijën e saj në krah, ajo me fëmijën që nuk arriti të lindë, nga aty dolën në arkivol pasi u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj. Motra e të ndjerës me dhimbje e lot e në sy tregon për dhunën që ka përjetuar në vazhdimësi gruaja shtatzënë e cila u vra në oborrin e QKUK-së nga bashkëshorti i saj dhe se rasti ka qenë duke u trajtuar nga organet e drejtësisë.

“Prej që është martuar, ka pasur telashe dhe dhunë nga burri, vjehrra, të gjithëve aty në shtëpi. Na ka thirr në telefon duke na thënë; motër ma bëj një zgjidhje, i kam thënë “çfarë zgjidhje”? Na ka thënë që ta marrim sa më shpejt se ai po e rrah. E ka rrahur, tërë kokën e ka pasur të nxirë, si edhe trupin e ka pasur sikur plehu. Kjo punë ka qenë mes Policisë, Gjykatës dhe Entit Social”, thotë motra e viktimës.

Numri i grave të cilat janë viktima të dhunës në familje është me i lartë krahasuar me shifrat që dalin nga institucionet zyrtare, por se sfidë mbetet raportimi i tyre dhe ofrimi i mbrojtjes. Kështu thonë drejtues të organizatave për mbrojtjen e grave.

Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, i tha Radio Kosovës se sipas të dhënave dhe monitorimit që është bërë në terren, numri i viktimave të dhunës në familje dhe dhunës seksuale është më i lartë, por se rastet nuk raportohen. Kohëve të fundit, viktimat me të mëdha janë vajzat e mitura, tha Breznica.

“Pavarësisht që statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë që vitin e kaluar kanë qenë mbi 2 mijë e ky vit ende nuk ka përfunduar dhe kemi një numër të lartë. Por ne themi se ka më shumë raste të dhunës por që nuk raportohen në institucionet kompetente. Gjatë raportimeve të kohëve të fundit tregojnë që me shumë ka raste viktima të mitura”, deklaroi Breznica.

Se dhuna ndaj grave është një fenomen në rritje thekson fakti se vetëm për 8 muaj, janë shënuar mbi 1 mijë e 500 viktima të dhunës në familje. Kështu u bë e ditur në një raport të prezantuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Liridon Salihu, nga ky grup, tha se 81 për qind e viktimave të dhunës në familje janë të gjinisë femërore.

“Gjatë periudhës janar – shtator 2022 gjithsej janë shënuar 1 mijë e 539 viktima të dhunës në familje. Në bazë të 32 aktgjykimeve të analizuar del se 81 për qind e tyre kanë qenë femra”, deklaroi Salihu.

Reagime të shumta ka pasur për rastin e fundit, ku u vra një grua shtatzënë nga ish-bashkëshorti i saj. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, por edhe të gjithë krerët e tjerë shtetërorë, institucionalë dhe liderë partiakë, kërkuan që vrasësi të marrë dënimin me burg të përjetshëm. Haxhiu ka thënë se personat përgjegjës do duhet të marrin edhe përgjegjësi penale.

“Nëse shohim që ka dështuar dikush, do të ketë dorëheqje, do të ketë shkarkim. Dorëheqjet dhe shkarkimet janë kërkuar edhe në rastet e kaluara e asnjë dorëheqje, asnjë shkarkim nuk ka ndodh. Kjo neglizhencë po i inkurajon kriminelët. Ministrja e Drejtësisë nuk ka të drejtë të shkarkojë prokurorët dhe gjyqtarët. Secili që nuk e ka kryer detyrën më e vogla është dorëheqja e shkarkimi nuk vjen në shprehje edhe përgjegjësia penale”, tha ministrja Haxhiu.

Në Kosovë është rritur ndër vite numri i rasteve të dhunës në familje që raportohen në Policinë e Kosovës. Këtë e kanë konfirmuar për Radio Kosovën në një përgjigje me shkrim nga ky institucion. Në periudhën janar-tetor 2022 numri total i rasteve ka qenë 2273, prej tyre 2486 viktima, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Në Kosovë, sipas të dhënave të organizatave për mbrojtjen e grave, nga viti 2010, 50 gra janë vrarë nga burrat. Po ashtu, nuk janë të pakta rastet kur si pasojë e neglizhencës së institucioneve ndaj viktimave të dhunës në familje, mos reagimit me kohë të institucioneve të drejtësisë, rastet kanë përfunduar me fatalitet.

Ministria e Drejtësisë, në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ka lansuar Kurrikulën për Programet e Trajtimit të Dhunës./TV Arbëria

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *