Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > ​Konjufca: Synojmë të jemi lider në rajon për transparencë parlamentare

​Konjufca: Synojmë të jemi lider në rajon për transparencë parlamentare

Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në organizim të Forumit për Transparencë Parlamentare, u mbajt konferenca vjetore me organizata të shoqërisë civile dhe njëherësh u lansua Plani i Veprimit për Kuvend të Hapur 2023-2026. Kështu ka njoftuar Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës.

Duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve në këtë takim, kryetarja Arbëreshë Kryeziu Hyseni kronologjikisht tregoi fazat e hartimit të planit të veprimit, i cili i kontribuon transparencës dhe rritjes se besimit të publikut ndaj Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja e Forumit falënderoi të gjitha palët e përfshira aktivisht në hartimin e këtij plani, duke treguar se në planin e veprimit përfshihen 18 masa dhe 49 aktivitete, në shërbim të transparencës.

Kryetarja Hyseni potencoi se plani është gjithëpërfshirës dhe është hartuar duke konsultuar akterë nga institucionet publike, private por edhe nga shoqëria civile.

Mirënjohje ndaj akterëve ndihmues në hartimin e planit shprehu edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke theksuar se transparenca është element esencial i zhvillimit të demokracisë dhe mirëmbajtjes së saj.

Kosova ende nuk është anëtare e partneritetit global për qeverisje të hapur, tha Kryetari Konjufca dhe shtoi se plani i veprimit është në përputhje me parimet e saj. Ai njëherësh shprehu gatishmërinë e plotë për të promovuar kulturën e transparencës në institucionin legjislativ.

Kryeparlamentari Konjufca përmendi se nga Kuvendi i Kosovës çdo herë do të promovohet dialogu dhe partneriteti konstruktiv me të gjitha palët, për të përmirësuar tutje transparencën në punën e Kuvendit, pasi që, sic tha, synimi i institucionit që përfaqëson është rangimi i Kosovës si lidere në rajon sa i përket transparencës parlamentare.

Në fjalimin e tij, kreu i Kuvendit e konsideroi mjaft të rëndësishme edhe punën e hartimit të Kodit të Etikës për deputetët. Kryetari Konjufca bëri thirrje që trendi i aktiviteteve të cilat ndikojnë në rritjen e transparencës parlamentare të vazhdohet tutje, duke zbatuar gjithnjë praktikat më të mira në këtë sferë.

Në anën tjetër, Drejtorja e Lartë e NDI në Kosovë, Nancy Soderberg, duke falënderuar të gjitha palët e përfshira në hartimin e planit, tha se ky dokument është një hap i rëndësishëm për rritjen e tranparencës parlamentare dhe fuqizimin e sistemit demokratik të qeverisjes.

Duke përmendur progresin e Kosovës në përfshirjen e barabartë gjinore, znj.Soderberg bëri thirrje që të punohet tutje në këtë aspekt, duke fuqizuar kështu gjithëpërfshirjen dhe përfaqësimin e barabartë gjinor.

Për rëndësinë e harimit të planit të vepimit për Kuvend të Hapur foli edhe Rosario Paveze, U.D. Udhëheqëse për rajonin e Amerikës Jugore dhe Këshilltare e Lartë Parlamentare në OGP. Paveze tha se plani është gjithëpërfshirës dhe bazohet në standardet ndërkombëtare, duke kontribuar në avancimin e mëtutjeshëm të transparencës parlamentare.

Zyrtjara e OGP-së çmoi lart inkurajimin e dialogut konstruktiv mes të gjitha palëve, promovimin e legjislacionit, përfshirjen aktive të shoqërisë civile në punën e Kuvendit, duke bërë thirrje që të punohet aktivisht në implementimin e këtij plani.

Pas fjalimeve hyrëse, konferenca vazhdoi me panelin e diskutimit në temën “Sfidat e hapjes parlamentare – bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit të Kosovës me OShC-të dhe mediat në zbatimin e masave të Planit të Veprimit për vitin 2023”, i cili u moderua nga kryetarja e Forumit për Transparencë, Arbëreshë Kryeziu Hyseni.

Nga Demokracia Plus (D+), Albert Krasniqi theksoi se vërehet dukshëm progresi në mes planit të mëparshëm që adreson çështjet e tranparencës parlamentare dhe planit aktual të hartuar. Duke specifikuar aktivitetet konkrete të përfshira në planin e veprimit që do të ndikojnë në rritjen e trasparencës parlamentare, Krasniqi përmendi edhe disa nga aspektet të cilat Kuvendi duhet t’i adresojë në funksion të rritjes së mëtejmë të transparencës.

I pari i administratës së Kuvendit, Ismet Krasniqi, tregoi se Plani i Veprimit për Kuvend të hapur i konstrukton tutje aktivitetet e Kuvendit të bëra në fushën e transparencës parlamentare. Si rezultat, sekretari Krasniqi vlerësoi lart punën e bashkëpunëtorëve të jashtëm të Kuvendit në hartimin e këtij plani dhe theksoi se ekziston vullneti në plotni për të implementuar suksesshëm të gjitha pikat e adresuara në të, në partneritet me akterët vendorë dhe ata ndërkombëtarë.

Aktivitetet konkrete që fuqizojnë rolin e gruas në parlamentarizëm dhe hartimin e Kodit të Etikës, sekretari i Kuvendit i vlerësoi si dy hapa të rëndësishëm, në të cilët do të punohet intensivisht.

Relevancën e Planit të veprimit për Kuvend të Hapur e paraqiti edhe deputetja Blerta Deliu, njëherësh anëtare e Forumit për Transparencë Parlamentare. Duke specifikuar se deri te hartimi përfundimtar i planit të veprimit janë konsultuar të gjithë akterët, ajo përmendi se edhe për zbatimin e tij duhet punë e përbashkët në mes të shoqërisë civile, administratës dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Udhëheqësi i Komitetit Nacional Koordinues për Hartimin e Planit Nacional të Veprimit në kuadër të OGP-së, Fidan Kalaja, karshi temës së diskutimit, tha se misioni i Kosovës në OGP nuk ka pasur progres që nga viti 2015, e si rezultat janë mbajtur një sërë takimesh për të lobuar që Kosova të jetë vendi i 79-të i OGP-së.

Siç tregoi Kalaja, në maj të vitit 2023 pritet që të mirret lajm pozitiv nga OGP, meqë, sipas tij, po punohet në strategjinë që Kosova të jetë pjesë e saj, në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

Tutje, Blerta Thaçi, Drejtore e Open Data Kosova, theksoi se matjet e bëra nga organizata që ajo drejton tregojnë se Kuvendi i Kosovës viteve të fundit ka shënuar rritje të dukshme sa i përket transparencës parlamentare. Sipas saj, bashkëpunimi i ngushtë midis Kuvendit dhe shoqërisë civile ka rezultuar sukseshëm dhe Open Data do të përfshihet aktivisht në implemetim të planit të veprimit dhe monitorimit të zbatimit të tij.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës Xhemajl Rexha, duke specifikuar se Kuvendi i Kosovës qëndron mirë në nivel të trasparencës, specifikisht në ofrim të qasjes në informacion dhe dokumentacion zyrtar, përmendi edhe disa nga aspektet në të cilat duhet të punohet tutje, e që lehtësojnë dukshëm qasjen e gazetarëve në Kuvend.

Navigimin në web faqen e Kuvendit, publikimin e votimit në seancat plenare, hapësirat e operimit të gazetarëve, transmetimin e drejtëpërdrejtë të mbledhjeve të komisioneve parlamentare, kreu i organizëtës përfaqësuese të gazetarëve të Kosovës i konsideroi si çështje që duhet adresuar tutje, në funksion të informimit të përgjithshëm qytetar dhe rritjes së mëtejmë të transparencës, si element i demokracisë.

Diskutimet e të pranishmëve lidhur me lansimin e planit të veprimit u përqendruan kryesisht në domosdoshmërinë e implementimit të aktiviteteve që rrisin transparencën parlamentare.