Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Gjykatat nga sot vazhdojnë punën me kapacitete të plota

Gjykatat nga sot vazhdojnë punën me kapacitete të plota

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marrë vendim që nga sot të gjitha gjykatat të vazhdojnë punën me kapacitete të plota, por pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të vazhdojnë deri në një vendim tjetër, ndërsa Këshilli Gjyqësor dhe gjykatat do të marrin pjesë në komisionet dhe grupet tjera ku pjesëmarrja përcaktohet me legjislacionin në fuqi.

Sipas një komunikate të KGjK-së, mbetet në fuqi pika I e vendimit të KGJK-së, me të cilin “Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe kryetarët e gjykatave, kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që menjëherë të anulojë vendimin Nr. 03/109, të datës 23 nëntor 2022.

“Takimi i jashtëzakonshëm i Këshillit është mbajtur me qëllim të diskutimit lidhur me situatën e re të krijuar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 03/109, të datës 23 nëntor 2022. Në rrethanat e krijuara, Këshilli vlerësoi se gjykatat duhet t’i kthehen punës nga data 3 dhjetor me qëllim që të vazhdojnë ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore për ofrimin e shërbimeve për qytetarët. KGJK mbetet e përkushtuar që të mbroj pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor, prandaj mbetet i pa ndryshuar qëndrimi i KGjK-së dhe kryetarëve të gjykatave me të cilin i kërkohet Qeverisë së Republikës së Kosovës që të shfuqizoj vendimin Nr. 03/109 dhe njëkohësisht kërkojnë që qeveria të respektoj kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet në fuqi, për të ruajtur dhe promovuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, përfshirë statusin e gjyqtarëve dhe pagat. KGJK kërkon që në Ligjin për Pagat dhe në Ligjin për Zyrtarët Publik të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e vet rregullimit të pagave brenda sistemit gjyqësor, duke i pranuar qëndrimet dhe komentet e KGjK-së dhe njëkohësisht kërkon që të pranohet statusi i veçantë i administratës gjyqësore, përfshirë çështjen e pagës siç është kërkuar me komente nga KGjK dhe sindikatat. Tendencat për ndërhyrje në punën e gjyqësorit përmes vendimeve dhe gjuhës denigruese të përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë të papranueshme, prandaj, pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta do të vazhdojnë derisa të vazhdojnë tendencat e ekzekutivit për cenimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor”, është bërë e ditur në njoftim.

Këshilli dhe gjykatat sigurojnë qytetarët e Republikës së Kosovës se janë të vendosur për avancimin e sistemit gjyqësor dhe ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët pa dallim.

 /TV Arbëria

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *