13:05 New York
Dark Light

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Fiset” kryesore politike që po i zëvendësojnë partitë e qendrës së djathtë dhe të majtë në Evropë

“Fiset” kryesore politike që po i zëvendësojnë partitë e qendrës së djathtë dhe të majtë në Evropë

Shkruan: Afrim Kasolli

Partitë e ekstremit të djathë shënuan një rritje të ndjeshme elektorale në zgjedhjet e mbajtura për Parlamentin Evropian. Edhe pse partitë e qendrës , liberale dhe socialiste do të ruajnë shumicën në Parlamentin Evropian, megjithatë tendencat tregojnë qartë se forcat ekstreme, po gjejnë shtrat pjellor dita ditës në kuadër të publikut evropian.

Në vendet ku këto subjekte patën më së shumti sukses mbeten Gjermania dhe Franca, si dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian . Në shtetin gjerman edhe përkundër zbulimit të një sërë skandalesh dhe të dhënave që dëshmojnë për shndërrimin e Alternativës për Gjermaninë në një dorë të zgjatur të interesave ruse dhe kineze, përsëri kjo parti, ia doli që të dalë partia e dytë në nivel vendi, duke e lënë kështu prapa Partinë Social Demokrate të kancelarit, Olaf Szholc. Kjo e fundit shënoi rezultatin më te keq në historinë moderne të Gjermanisë. Por më mirë nuk kaluan as të gjelbrit, të cilët janë pjese e koalicionit qeverisës.

Kurse në Francë, presidenti Emmanuel Macron, i tronditur pasi partia e tij pësoi humbje të thellë nga partia e Partia Frontit Kombëtar – e udhëhequr nga Marine Le Pen dhe Jordan Bardella, reagoi me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Shumë kush këtë vendim e pa të çuditshëm. Mediumi i njohur britanik “The Guardian” quajti këtë lëvizje të presidentit francez si “një loje më zjarrin” dhe të marr në një çast dobësie.

Sidoqoftë, një rezultat i tillë ishte i pritshëm. Hulumtimet e opinionit publik kishin kohë që e paralajmëronin këtë skenar. Për më shumë një përfundim i tillë e pasqyron edhe pamundësinë e partive tradicionale politike për t’iu përgjigjur disa prej krizave konstante që kohën e fundit e kishin kapluar kontinentin. Dhe që si të tilla, kanë ndikuar edhe në zbehjen e dallimeve në mes të majtës dhe së djathtës, siç e kemi njohur historikisht. Kurse në vend të këtij binomi kanë lindur disa “fise” të reja politike, si reagim ndaj këtyre polikrizave,

Kështu, kohë më parë studimi i përgatitur nga Ivan Krastev dhe Mark Leonard me titulli “A crisis of one’s own: The politics of trauma in Europe’s election year” konstatonte se pikërisht frika nga këto kriza do të jetë një faktor vendimtar në prodhimin e mobilizimit politik, si në kuadër të zgjedhjeve nacionale ashtu edhe në ato për Parlamentin Evropian.

Sipas dy autorëve në fjalë, Evropa në këtë dekadë ka kaluar nëpër disa kriza. Fillimisht, qe ajo financiare e cila krijoji një pasiguri masive për të ardhmen. Paralelisht me të, ndodhi përkeqësimi i krizës ekologjike e cila gjithnjë e më tepër e ka shtuar ankthin për të ardhmen e planetit. Të mos flasim për fluksin e madh të imigrantëve në vitin 2015, por që në një mënyrë ose tjetër po vazhdon deri më sot. Kurse në ndërkohë shpërtheu pandemia Covid-19, duke ekspozuar dobësitë e sistemit shëndetësor. Dhe në fund lufta në Ukrainë që i varrosi përfundimisht iluzionet se luftëra të tilla i takojnë vetëm historisë tragjike të kontinentit dhe nuk do të mund të riktheheshin kurrë më për shkak të triumfit të paqes pos-historike.

Në këtë kontekst, secila prej tyre u përjetua si kërcenim ekzistencial në mënyra të ndryshme nga shoqëri të ndryshme evropiane. Natyrisht, dallonte intensiteti i tyre nga njëri vend në tjetrin. Bie fjala, në Gjermani qytetarët e kanë konsideruar emigracionin si krizën më shqetësuese për ta. Kjo edhe është arsyeja që të gjelbërit e njohën këtë rezultat fatal. Kurse, votuesit holandezë e vendosën në krye partinë e Lirisë të Geer Wilders, e njohur për qëndrimet kundër emigrantëve, por në vend të dytë po ashtu edhe aleancën pro-mjedisore Laburiste të kryesuar nga ish-zëvendës presidenti i Komisionit Evropian Frans Timmermans. Dhe kjo ndarje nuk është e rastësishme, por është shprehje e përplasjes në mes të dy “rebelimeve anti-zhdukjes”. Aktivistet ekologjikë që kanë “frikë nga zhduka e planetit dhe jetës njerëzor, kurse aktivistët kundër emigracionit që janë të pushtuar nga frika e zhdukjes së kulturave të tyre kombëtare”. Kurse estonezët, polakët e etj luftën në Ukrainë e kanë veçuar si shqetësimin primar të tyre.

Janë këto tensione që tashmë e kanë ndryshuar peizazhin politik të kontinentit dhe të cilat kanë ndikuar që përplasja kryesore politike të zhvillohet në mes këtyre pesë “fiseve” kryesore politike, ku mbështetësit e së cilës prej tyre mobilizohen me shpresën për ta parandaluar rikthimin e njërës prej atyre krizave që e konsiderojnë si frikën me të madhe për të ardhmen e tyre. Pra është ky realitet qw e ka fragmentarizuar tej mase jetën politike në kontinent. Prandaj, edhe pas këtyre zgjedhjeve Parlamenti Evropian, do të mund të jetë edhe më i përçarë, sidomos në një kohë kur BE-ja përballet me një Rusi armiqësore dhe rritje të rivalitetit me Kinën. Një ogur ky, po ashtu aspak i mirë edhe për rajonin tonë. /TV Arbëria