Në komisionin për mbikëqyrjen e financave ku edhe u shpalosën të gjeturat e auditorit në punimet dhe rinovimin e tri stadiumeve, atë “Adem Jashari” në Mitrovicë, stadiumin e qytetit në Gjilan dhe atë në Gjakovë, nuk munguan edhe përplasjet mes ministrit të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, si dhe anëtarëve të komisionit në fjalë.
Në mesin e shumë diskutimeve, ishte deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi ajo e cila pyeti Çekun për stadiumet që ka nisur dhe përfunduar gjatë këtij mandati.
“Ministër, a mund ta dimë qe sa jeni në mandat ju sepse jeni në përfundim të mandatit tuaj cilin stadium e keni nisur dhe e keni përfunduar? A mund ta di?”, e pyeti ajo ministrin.
Në përgjigjen e tij, Çeku theksoi se telashet e shumta të gjetura në këto projekte ishin faktor vendimtar që të mos arrihet përfundimi i tyre.
“Po të niseshin si duhet ën vitin 2019 ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, ishte dashur që për dy vite të përfundojë, kaq e thjeshtë. Është nisur pa i përmbushur kushtet elementare, shpronësim, leje kushte ndërtimore, do të thotë është absurde edhe të niset procedura e prokurimit e lëre më të lidhim kontratë pa i kryer këto punë, e tani çfarë të bëjë, mua më ka rënë hise t’i kryejë punët që është dashur ata t’i kryejnë paraprakisht dhe për t’i kryer këto punë na ka marr kohë dy vite…Unë për diçka jam rehat, pyetjes suaj më së miri mund t’i përgjigjem me këtë: Ministri i ardhshëm i sportit nuk do t’i ketë telashet që i kam pasur unë”, u shpreh ministri.
Derisa Çeku po fliste për punët e bëra nga MKRS-së, deputetja ndërhyri sërish duke i thënë ministrit që “për fat të keq ai nuk do të jetë ministër në mandatin e ardhshëm”.
Por, për një gjë të tillë Çeku tha se nuk e ka fare problem.
“Nuk ka lidhje deputete a jam a nuk jam. Edhe nëse jeni ju ministre e ardhshme e sportit, unë jam rahat me ju në këtë rast si ministre e ardhshme e sportit nëse do të jeni që telashet që unë i kam trashëguar ju nuk do t’i keni. Ju vetëm do të jeni aty për t’u kujdesur që punët të kryhen dhe brenda këtij afati pesë vjeçar të mbyllet përgjithmonë e stadiumeve”, tha në fund ministri Çeku.