Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Bislimi paralajmëron marrëveshjen me Serbinë për të zhdukurit me forcë

Bislimi paralajmëron marrëveshjen me Serbinë për të zhdukurit me forcë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se kanë pranuar versionin e ri të planit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi.

Në raportimin të martën para Komisionit për punë të jashtme, Bislimi tha se emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak i ka dorëzuar draftin e ri kryeministrit Albin Kurti, mirëpo nuk dha detaje se çka përmban i njëjti.

Para deputetëve, kryenegociatori për dialogun me Serbinë, paralajmëroi se në janar mund të arrihet marrëveshja me Serbinë për të zhdukurit me forcë gjatë luftës në Kosovë. Ndërkohë, theksoi nevojën që diskutimet për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të jetë të afatizuara deri në mars të vitit 2023.

Bislimi: Sot është dorëzuar drafti i rishikuar i planit franko-gjerman për dialogun

“Ka dakordim që mos të diskutohet elementet përbërëse të planit. Po është dorëzuar sot drafti i reviduar dhe i është thënë zotëri Kurtit në orën 10:00”, tha ai.

Sipas tij, diskutimet për arritjen e ujdisë finale nuk duhet të zgjasin pa kufij, andaj kanë insistuar që në kuadër të dakordimit të 23 nëntorit për targa të përfshihet edhe ky element.

Bislimi: Diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse të jenë të kufizuara në kohë

“Diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse të jenë të kufizuara në kohë që mos të zgjasin pa kufij. Mendoj se me dakordimin e datës 23 nëntor ne kemi arritur këtë, pasi si pjesë e marrëveshjes është e paraparë që bisedimet, siç e thatë ju franko-gjerman edhe pse BE-ja insiston që është propozim i BE-së të kufizohen deri në fund të marsit. Në fakt në tekst nuk figuron data mars, por figuron takimi për grupin special për normalizim, pastaj ne kemi pranuar këtë formulim vetëm pas një shkrese të zotëri Lajçak, kur e cakton takimin për normalizim në për fundin e marsit 2023. Ne kemi marrë sigurimin se nuk do të zhvendoset ky afat dhe pastaj kemi pranuar atë formulim në tekst”, shtoi Bislimi.

Krahas kësaj, ai tha se pritjet janë që marrëveshja për të zhdukurit me forcë të nënshkruhet në janar nga Kurti dhe Vuçiq.

Bislimi tha se kanë pranuar një draft të ri për këtë ujdi, pasi është ndryshuar një paragraf dhe se do të shqyrtojnë atë.

Bislimi: Marrëveshja për të zhdukurit me forcë pritet të nënshkruhet në janar

“Pritjet janë që dokumenti të nënshkruhet në takimin e parë mes krerëve të shtetit që mbahet në janar. Nuk është harruar në asnjë moment dhe është diskutuar në vazhdimësi. Draftin nuk e kam këtu që më është dhënë mbrëmë nga Lajcak, të cilin pastaj e trajton Andin Hoti bashkë me ekipin e këshilltarëve. Nëse ata mendojnë se ne jemi dakord me atë formulim, ka të bëjë me vetëm një pjesë të një paragrafi të ndryshuar, të nënshkruhet në takimin e parë mes tyre”, theksoi zëvendëskryeministri Bislimi.

Pas pyetjeve të deputetëve për largimin e serbëve në veri nga institucionet, Bislimi paraqiti, siç tha dështimet ndër vite në atë pjesë.

Me theks të veçantë, ai përmendi letrën e ish kryeministrit Hashim Thaçi dërguar NATO-s që sipas tij, pranon që veri të merr trajtim të veçantë sa i përket sigurisë.

Bislimi: Ish kryeministri Thaçi ka pranuar që veriu të merr trajtim të veçantë sa i përket sigurisë

“Është thënë që me këto masat e fundit, pas largimit të serbëve është rrezikuar sovraniteti, normalizimi që ne kemi arritur në komunat në veri të Kosovës, Por unë desha veç për të listuar se si është dukur ky sovranitet i shtrirë në veri të Kosovës në praktik. Ish-kryeministri Thaçi, më datën 19 prill 2013, para nënshkrimit të marrëveshjes ka pranuar që veriu të merr trajtim të veçantë sa i përket sigurisë, duke u dakorduar që Forcat Sigurisë së Kosovës mos të shkojnë në veri të vendit. Është letra e dërguar pak orë para nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim me kërkesë të Serbisë. Në veri të vendit, si pasojë e normalizimit që kemi arritur ende kemi përdorim ilegal të valutës së një shteti armik që është toleruar që atëherë. Në veri të Kosovës, qytetarët ende vazhdojnë të mos i paguajnë tatimet lokale dhe qendrore, në veri për taksat doganore që janë grumbulluar është dakorduar që të gjitha të përdoren vetëm për komunat veriore”, tha ai.

Atij i reagoi deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili i quajti këto të pavërteta.

Haliti: Faleminderit që pranove të raportosh në vend të Hashim Thaçit

“Zëvendëskryeministër, faleminderit, meqenëse nuk është Hashim Thaçi këtu që raportove në emër të tij. Unë kam një mendim timin që raportimet e tilla qojnë në dezinformim të opinionit, pasi asnjë nga këto nuk qëndrojnë. Gjithçka është vendosur dhe besoj fort në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe marrëveshjet në Bruksel. Andaj marrëveshjet e parealizuara nga palët nuk është mirë për t’ia faturuar faturuar Hashim Thaçit. Nuk është mirë prej teje dhe nuk është mirë as ne dhe as opinioni me dëgjuar këto gjëra”, theksoi Haliti.

Në debat u përfshi edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Musliu-Shoshi: Marrëveshjet nuk po arrini t’i mirëmbani

“Përveç se keni deklaruar se do t’i sillni gjitha marrëveshjet dhe do t’i zhbëni, por kjo po shohim se nuk po ndodh. Mirëpo edhe ato marrëveshje që janë arritur nuk po arrini t’i mirëmbani”, tha ajo.

Mirëpo, zëvendëskryeministri Bislimi tha se ish-presidentin Thaçi e përmendi vetëm në letër-shkëmbimin me NATO-n për FSK-në dhe jo për çështjet tjera në veri.

Pas diskutimeve të para, kryetari i komisionit, Haki Abazi e mbylli mbledhjen për media dhe e njëjta vazhdoi pa praninë e tyre.    /TV Arbëria

Themes by WordPress