Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Znj. Kallas Kosova nuk mund të marrë pjesë në dialog në këto kushte

Znj. Kallas Kosova nuk mund të marrë pjesë në dialog në këto kushte

 Shkruan: Afrim Kasolli

 

Ashtu siç pritej, shefja për politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimi Evropian, Kaja Kallas, gjatë vizitës si në Serbi ashtu edhe Kosovë, e shtroi si nevojë urgjente rikthimin e dy vendeve në tavolinën e dialogut, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përgjegjëse për menaxhimin e të cilit është vetë ajo. Shkurt dhe prerazi, ajo deklaroi se “tani është koha për riangazhim”.

Këto mesazhe nuk mund të shkëputen nga ato që kryediplomatja e Brukselit i ka mbajtur në ndërkohë, prej se e ka marrë këtë pozitë. Si temë tjetër që u veçua gjatë prononcimeve të saj ishte lajmi se Bashkimi Evropian ka filluar suspendimin gradual të masave sanksionuese ndaj Kosovës, por që sipas saj tërheqja e plotë e tyre nuk mund të bëhet pa dhënë shenja se Prishtina ka ndërmarr masa të plota sa i përket depërshkallëzimit të situatës së sigurisë në pjesën veriore. Ndërkohë, munguan detajet në raport me një premtim tjetër të zonjës Kallas, së BE-ja do t’i shqyrtojë me kujdes gabimet që janë bërë në procesin e dialogut e të cilat edhe kanë ndikuar në stagnimin e tyre. Kurse nga Beogradi, ajo përsëriti referninin e njohur lidhur me vizitën e fundit të kryetarit serb, Aleksandër Vuciq në Moskë krah Putinit ne paradën ushtarake të 9 majit, se “Bashkimi Evropian pret nga vendet kandidate që të harmonizohen me politikën e tij të jashtme, A dëshironi të jeni me ne? Nëse po, atëherë do të punojmë së bashku dhe kjo është ajo që presim nga vendet kandidate” ka shtuar ndër të tjera zonja Kaja Kallas.

Pa harruar të shtoi edhe faktin tjetër se “lidhjet e Serbisë me fqinjin e saj Kosovën, nuk kanë të bëjnë vetëm me përmirësimin e marrëdhënieve, janë vendimtare për të ardhmen e Serbisë në BE. Megjithatë, pikërisht ky dualizëm strategjik i Serbisë e formon zemrën e Akilit të dështimeve sa i përket dialogut. Sepse Serbia, nuk është hera e parë që demonstron sjellje të tilla. Prandaj, ajo e ka dëmtuar pikërisht njërën prej qëllimeve madhore të dialogut, sepse ka treguar se nuk mund të divorcohet nga lidhjet simbiotike me Kremlinin për hir të agjendës evropiane. Kurse pjesëmarrjen në procesin e dialogut me Kosovën e ka shndërruar në trampolinë për ta mbajtur të bllokuar ndërkombëtarisht shtetësinë e Kosovës me pretendimin se ajo është ende një çështje e hapur, e jo me qëllim normalizimin e raporteve me të.

Sidoqoftë, për shkak dinamikave ndërkombëtare, në një botë gjithnjë e më multipolare, Serbia vetëm sa do ta thellojë këtë politikë të shumanshme. Ndërkaq, BE-ja ka dëshmuar se nuk ka leva diplomatike dhe politike në dispozicion për ta disiplinuar atë. Për më shumë shtete të veçanta të BE për interesa imediate ekonomike i kanë inkurajuar driblime të tilla diplomatike të Beogradit. Të gjithëve na kujtohet se si presidenti i Francës Emanuel Makron, gjatë një konference për shtyp para mediave, në zemër te kryeqytetit serb, kur u pyet per politiken duale te Serbisë edhe me Rusinë edhe me Perëndimin, si dhe refuzimin e të parës për t’i vënë sanksione të dytës, për shkak të pushtimit të Ukrainës, ai deklaroi se e respekton “sovranitetin e Serbisë”. E tëra kjo për shkak të aranzhmanit tregtar për blerjen e avionëve francez Rafale me vlerë prej 2.8 miliardë dollarëve. Në anën tjetër, shumica e burshtataseve dhe diplomatëve perëndimore, kohën e fundit kanë alarmuar se situata e sigurisë në rajonin perëndimor është duke përkeqësuar tej mase, si pasojë e doktrinës së kaosit të Moskës, me qëllim që ta shpërqendrojë vëmendjen e diplomacisë perëndimore nga lufta në Ukrainë. Mirëpo, nuk do shumë mend të dihet, se cili shtet në rajonin tonë e luan dorën e zgjatur strategjike të Rusisë në funksion të këtyre qëllimeve.

Edhe Kosova herë në mënyrë të hapur e herë të tinëzare, i është nënshtruar planeve të tilla nga subversive nga Beogradi. Sulmi i 24 shtatorit mbet mw tipiku. Dhe Serbia e ka kaluar këtë atak pas asnjë pasojë ndërkombëtar.

Një dëshmi kjo se siguria e Kosovës nuk është garantuar si duhet nga fqinji i saj agresiv edhe pse ka marrë pjesë në procesin e dialogut. Për fund, përkundër zotimeve se progresi nw kwtw proces shërben si kusht për integrime euro-atlantike, tashmë nuk duket si mundësi reale. Shtetet kryesore të Unionit, si Franca e Gjermania janë gjithnjë e më skeptike sa i përket politikave të zgjerimit. Ato e kanë bërë të ditur se para këtij synimi këto shtete duhet t’i orientojnë energjitë e tyre në reforma të brendshme sa i përket funksionimit të BE-së.

Ndërkaq, siç dihet shumë nga kompromiset që i ka bërë Kosova kanë qenë në funksion të këtij qëllimi. Prandaj, sot me shpresa gjithnjë e më të zymta sa i përket agjendës euro-integruese, me një Serbi që gjithnjë e më shumë e braktis parimin kryesor të dialogut për shkak të pamundësisë për t’u divorcuar nga Rusia dhe duke u shndërruar ne kërcënim për sigurinë e Kosovës, kjo e fundit e ka vështirë të kthehet në procesin dialogut, nëse Brukseli dështon për ta determinuar një rrjedhë tjetër të ngjarjeve.