Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, thotë se në seancën e nesërme s’ka nevojë për takim konsultativ me partitë parlamentare.
Dehari, i cili është deputeti më i vjetër i Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thekson se emri i kësaj partie për kryeparlamentare vazhdon të jetë deputetja Albulena Haxhiu.
Kuvendi do të mbajë vazhdimin e seancës konstituive të premten në orën 10:00, në përpjekjen e gjashtë për zgjedhjen e trupave të organit më të lartë legjislativ.
“S’ka nevojë për takim konsultativ, s’duket e nevojshme me”, tha ai.
Ai rithekson se LVV-ja nuk ka hequr dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
“Emri për kryeparlamentar mbetet i njëjti”, shtoi Dehari.
Në lidhje me përfshirjen e presidenten Vjosa Osmani në zgjidhjen e ngërçit në Kuvend, kryesuesi i seancës konstituive thotë se nëse paraqitet nevoja, e para e vendit mund t’i thërrasë për konsultim partitë parlamentare.
“Njëherë duhet të provohet, nëse paraqitet nevoja më vonë edhe ajo mundet”, tha ai.
Një gjë të tillë e kanë kërkuar edhe shoqëria civile në Kosovë, të cilët për KosovaPress kanë kërkuar nga presidentja t’i thërrasë për konsultim partitë dhe gjetjen e një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sidoqoftë, presidentja Osmani e ka lënë të hapur këtë mundësi në një letër drejtuar kryesuesit të seancës konstituive më 16 prill, pas dështimit për herë të parë që të votohet verifikimi i mandateve të deputetëve.
Në Kuvendin e Kosovës më 23 prill ka dështuar për herë të pestë të konstituohet legjislatura e nëntë.
Lëvizja Vetëvendosje, parti fituese e zgjedhjeve, ka të drejtën ekskluzive që të nominojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese 2014.
Mirëpo e njëjta në tri tentime ka dështuar ta zgjedhë kryeparlamentare, deputeten Albulena Haxhiu. Ajo në seancat e 19 prillit dhe të 23 prillit mori vetëm 57 vota nga 61 sa janë të nevojshme për të marrë këtë post.
Kundër zgjedhjes së saj në organin më të lartë legjislativ janë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa tre deputetët e Nisma Socialdemokrate po abstenojnë.
Nga radhët e komuniteteve jo shumicë, deputetët e Listës Serbe në seancën e fundit nuk morën pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komunitetit boshnjak, Duda Balje.
Vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet të premten në fillim nga ora 10:00.