Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj tha se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare nga partitë politike sa i përket propozimit 15-pikësh që kjo parti e ka prezantuar për një qeveri të unitetit.
Ne duhet të shohim këtë që po ndodh, ngërçin e krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje për shkak të konstituimit të Kuvendit dhe tek atëherë kur të hapet mundësia që të kalohet te i dyti që mund të ketë 61 nënshkrime, ajo është temë tjetër. Lidhja Demokratike edhe për këtë çështje është përcaktuar, ndërsa ajo çka është parë, nuk ka pasur ndonjë vullnet, ose nuk shihet që dikush tjetër m edhe si i dytë mund të ketë një shumicë të konsoliduar që do të mundësonte krijimin e kuvendit dhe të Qeverisë”, tha Zemaj.
Zemaj tha se propozimi “nuk ka nevojë t’u dërgohet në mënyrë zyrtare” partitë politike, sepse, siç tha ai, këto janë tema publike.
“Nuk kemi nevojë që ta dërgojmë në mënyrë zyrtare sepse janë tema publike, ashtu siç janë të shkruara janë edhe të analizuara, besoj disa kanë qenë edhe pjesë e programit elektoral të LDK-së, por ka edhe elemente të tjera që kanë filluar psh implementimi i lojërave mesdhetare ku ka mbet ngërçi politik për shkak të angazhimeve ligjore, dhe po hymë në fazën ku mund të ketë edhe dështime, andaj me përgjegjësi të plotë e them se këto janë tema nacionale nuk janë tema që i takojnë vetëm një subjekti politik dhe kjo është ofertë për të kaluar ngërçin politik ku shihet se askush me askënd nuk dëshiron që të ecë tutje”, tha Zemaj.
Deputetët mblidhen sot serish në përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ky është tentimi i 31-të që prej pesëmbëdhjetë prillit kur ka nisur seanca konstituive./Kp