Gjatë vitit 2025, Kosova është përballur me një numër të konsiderueshëm ngjarjesh kriminale, duke përfshirë plagosje dhe vrasje, që kanë ngritur shqetësime në lidhje me sigurinë dhe rendin publik.
Policia e Kosovës dhe autoritetet përgjegjëse janë angazhuar për të hetuar dhe marrë masa ndaj këtyre krimeve, por rritja e numrit të incidenteve të dhunshme ka shpërfaqur nevojën për një qasje më të fortë në menaxhimin e sigurisë dhe zbatimin e ligjit.
Gjatë muajit shkurt në Klinë ndodhi një plagosje ku si pasojë, mbeten të lënduar tre persona. Derisa edhe në mbrëmjen e 4 janarit në Prishtinë një person u plagos nga arma e zjarrit në rrugën “Mine Peza”, ku Policia njoftoi se kishte sekuestruar pesë gëzhoja nga vendi i ngjarjes.
Në total gjatë këtij viti sipas raportimeve, në Kosovë u regjistruan 4 vrasje e shtatë plagosje, shkruan TV Arbëria.
Ky fenomen mund të analizohet duke shqyrtuar faktorët që kontribuojnë në këto ngjarje të dhunshme dhe pasojat që ato kanë për individët dhe shoqërinë. Një prej faktorëve që vjen deri te vrasjet janë vështirësitë ekonomike dhe papunësia të cilat mund të shkaktojnë frustrim dhe stres, që ndonjëherë shprehen në forma dhune, duke theksuar edhe ndëshkimet e dobëta nga institucionet e drejtësisë karshi këtyre rasteve. Një sistem i dobët i drejtësisë mund të çojë në ndëshkime të dobëta për krime dhe rritjen e shanseve të përsëritjes së krimeve të tjera. Kur qytetarët humbin besimin në drejtësinë dhe ndihen të pasigurt, ata mund të marrin drejtësinë në duar të veta, duke çuar në akte dhune.
Gjithashtu qasja e lehtë në armë të paligjshme, rritë mundësinë e përdorimit në situata të tensionuara. Shoqëria kosovare në përgjithësi e kultivon ende në njëfarë forme kulturën e hakmarrjes dhe ndëshkimit. Kjo mund të ndikojë në mënyrën se si individët e shohin dhe përjetojnë dhunën, duke e konsideruar atë si një mënyrë për të rregulluar padrejtësitë.
Teksa sa i përket mënyrës se si ndikojnë aktet e dhunshme te individi dhe shoqëria, krimet e dhunshme kanë një ndikim të thellë në individët dhe në komunitetet. Traumat që shkaktohen nga vrasjet dhe plagosjet, mund të kontribuojnë në rritjen e depresionit, ankthit dhe stresit post-traumatik.
Ndryshe, Policia e Kosovës në publikimin e statistikave për vitin 2024 thotë se rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje për 6 për qind duke u regjistruar 2 mijë e 387 raste, nga 2 mijë e 251 raste sa ishin regjistruar në vitin paraprak.
Po ashtu në të dhënat e publikuara bëhet e ditur se 56 raste të kontrabandës me mallra janë shënuar gjatë vitit 2024 duke shënuar ulje për 33 për qind krahasuar me vitin 2023 kur ishin shënuar 84 raste. Sipas Policisë, gjatë vitit shkuar janë konfiskuar 6 mijë e 980 armë pa leje. Kjo shifër është për më se pesëfish më e lartë sesa në vitin 2023, kur nga duart e qytetarëve u patën sekuestruar 1 mijë 286 armë zjarri.
Kurse gjatë prezantimit të raportit: “Dënimet me gjobë – leje për armëmbajtje”, hulumtues të IKD-së kanë bërë të ditur se në tre vjetët e fundit, nga 147 rastet gjyqësore lidhur me armëmbajtjet pa leje janë shqiptuar 28 dënime me gjobë, 18 me kusht dhe vetëm një me burgim. /Edona Salihu