Në Spitalin e Pejës dhe Gjakovës do të implementohet projekti “Shërbimet shëndetësore të integruara”, në vlerë prej më shumë se pesë milionë franga zvicerane. Ky projekt ka për qëllim përmirësimin dhe qasjen në shërbime shëndetësore cilësore.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly kanë nënshkruar marrëveshjen, që target ka grupet e margjinalizuara dhe sëmundjet jo-ngjitëse.
Vitia tha se ky projekt ka vlerë prej 5.5 milionë franga zvicerane, ku do të implementohet në spitalin e Gjakovës e Pejës.
Vitia: Ky projekt në thelb ua zgjat dorën dy kategorive mjaft të rëndësishme
“Vlera e këtij bashkëpunimi për mua si ministër i Shëndetësisë, dyfishohet kur marrim parasysh grupet shoqërore dhe llojet e sëmundjeve që trajton, pra sëmundjet jo-ngjitëse. Ky projekt në thelb ua zgjat dorën dy kategorive mjaft të rëndësishme, atyre që ndjehen të cenuar dhe atyre që duke qenë që sëmundjet e tyre nuk përbëjnë rrezik për rrethin, shpeshherë nuk zgjojnë vëmendjen e duhur në institucionet tona. Kosova dhe veçmas shëndetësia jonë ka kaluar dhe po vazhdon të kalojë në një tranzicion, i cili dorën në zemër po zgjat shumë më shumë se që kemi menduar e që kemi besuar. Në angazhimin tim si ministër mes rolit si politikan dhe nganjëherë menaxher, ndoshta nuk është korrekte ta them por kam zgjedhur të jem edhe menaxher”, ka thënë Vitia.
Ministri Vitia shtoi se ky projekt trajton grupet e cenueshme që kanë status shëndetësor më të dobët dhe situata të vështira ekonomike. Po ashtu, theksoi se ka qëllim koordinimin mes kujdesit parësor e dytësor.
Vitia: Projekti në vlerë 5,5 milionë franga zvicerane do të implementohet në Spitalin e Gjakovës dhe të Pejës
“Ky projekt me vlerë 5,5 milionë franga zvicerane që do të implementohet në Spitalin e Gjakovës dhe në atë të Pejës që targeton grupet e margjinalizuara shoqërore dhe ka për mision vendosjen e pacientit në qendër. Është projekt që na gëzon si mbështetje dhe na përkon si orientim, por na bën edhe më të vetëdijshëm për përgjegjësitë që i kemi tash parësisht ndaj qytetarit tonë edhe ndaj miqve tanë”, u shpreh ai.
E ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly theksoi se një sistem i mirë shëndetësor është krucial për funksionimin e një vendi.
Kolly: Një sistem i mirë shëndetësor publik është krucial për mirë-funksionimin e vendit
“Jam krenar që ta kem mundësinë për ta nënshkruar këtë marrëveshje me ministrin Vitia. Zvicra ka lidhje të ngushta dhe ka shumë vite që punojmë me projekte të ndryshme dhe shëndetësia publike ka qenë lidhja e suksesshme. Një sistem i mirë shëndetësor publik është kurcial për mirë-funksionimin e qeverisë, shtetit dhe një vendi. Përmes përpjekjeve tua që i keni bërë gjatë viteve të fundit, Kosova është në rrugë të mirë dhe ne si Zvicër jemi të lumtur të ju shoqërojmë në këtë rrugë pozitive. Është shumë pozitive që Qeveria e Kosovës ka rritur buxhetin për vitin 2023 për shëndetin publik”, u shpreh Kolly.
Xhevat Jakupi nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar theksoi rëndësinë e këtij projekti, duke shtuar se do të kontribuojë në uljen e ngarkesës spitalore.
Jakupi: Ky projekt do të kontribuojë në uljen e ngarkesës spitalore
“Institucionet shëndetësore të cilat e përbëjnë shërbimin spitalor, përfshirë këtu edhe spitalet e përgjithshme në rajonet e Kosovës e kanë për detyrë të mundësojnë ofrimin e integruar dhe të vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët në nevojë. Në këtë mënyrë ky projekt do të ndihmojë në arritjen e kësaj detyre të përgjithshme që ka Shërbimi Spitalor i Kosovës. Gjithashtu disa nga arritjet që priten nga realizimi i këtij projekti, si vënie në funksionim e sistemit të referimit nga kujdesi parësor në dytësor, si dhe vënia në përdorim të programeve për vetmenaxhim të disa sëmundjeve jo-ngjitëse të pacientëve të përzgjedhur në Pejë dhe Gjakovë do të kontribuojnë në uljen e ngarkesës spitalore”, ka përfunduar Jakupi.
Një në shtatë persona të moshës mbi 45 vjecare, prekën së paku nga diabeti, hipertensioni, sëmundjet kronike të mushkërive, e sëmundje të tjera jo-ngjitëse.
/TV Arbëria