Pas një periudhe të gjatë në spital, ka ndërruar jetë prifti Kristaq Viso, i cili u rrëzua nga çatia e Kishës së Shën Triadhës në Korçë më 19 maj, gjatë kryerjes së disa riparimeve.
Viso, prift në Kishën e Shën Thomait në fshatin Çiflig, kishte shkuar të ndihmonte priftin tjetër në riparimin e çatisë së Kishës së Shën Triadhës, kur humbi ekuilibrin dhe ra nga lartësia, duke pësuar dëmtime të rënda trupore në kokë dhe trup.
Pas incidentit, ai u dërgua me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë, ku iu nënshtrua trajtimit mjekësor intensiv, por për shkak të natyrës së rëndë të dëmtimeve, nuk mundi të mbijetonte.
Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka bërë të ditur Mitropolia e Shenjtë Korçë përmes një postimi në Facebook.
“Sot fjeti më Zotin Ikonom Stavrofor Atë Kristaq Viso! Mitropolia e Shenjtë e Korçës i shpreh ngushëllime të përzemërta bashkëshortes, vajzave dhe të gjithë familjarëve dhe të afërmve! I lutemi Perëndisë, të cilit i shërbeu, që ta ndjejë dhe ta prehë shpirin e tij me shenjtorët në gjirin e Avrahamit në Mbretërinë e Qiejve! Qoftë e lumur udha në të cilën shkon ti sot, se të është përgatitur vendi i prehjes lart në qiell, parajsë të mbarë o vëllai ynë i lumur dhe i gjithmonë kujtuar!” thuhet në njoftimin e Mitropolisë së Korçës.
Prifti Kristaq Viso ka shërbyer për një kohë të gjatë si klerik në Kishën e Shën Thomait në fshatin Çiflig dhe ishte njohur për angazhimin e tij të palodhur në komunitet.