Shkruan: Afrim Kasolli
Është në natyrën e krizave që sa më shumë që zgjasin aq më tepër e ushqejnë vetveten. Nga kjo logjikë “fatale” nuk mund të ketë shpëtim as kriza aktuale sa i përket pamundësisë së konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Sot u shënua dështimi i 22-të i këtij institucioni. Gjendje kjo që po transformohet edhe në bllokim të shtetit të Kosovës dhe kindapim të vullnetit demokratik të qytetarëve. Sidoqoftë, ky paralizim siç e kam potencuar disa herë ka rrënjë më të thella. Dhe konceptualisht ai buron nga qasja e partive politike për ta trajtuar shtetin, rendin kushtetues dhe sistemin ligjor vetëm si instrument të interesave partiake. Fatkeqësisht, te subjektet tona politika ende nuk ekziston një pajtim i plotë për t’i harmonizuar veprimet e tyre politik në koherencë me nevojat imperative të së parës. Dhe kjo antinomi në mes të sjelljeve partiake si dhe detyrimeve shtetërore e kushtetuese, qëndron në zemër të krizës sonë politike.
Kjo lojë po spikat aktualisht në “argumentet” se cila palë duhet të lëshojë pe në raport konstituimin e Kuvendit. Partia fituese e zgjedhjeve e ka refuzuar çdo kompromis politik me pretendimin se subjektet “opozitare” duhet të sillen në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Ndonëse, e njëjta sa ishte në opozitë kishte refuzuar të operonte në pajtim me të. Pra ai vendim ka vlerë inherente për aq sa është në shërbim të interesave të partisë. Jashtë kësaj optike është instrument jo demokratik. Ndërkohë, një logjikë e tillë nuk është se nuk i ka infektuar mjerisht edhe subjektet “opozitare”. Ato sot kërkojnë marrëveshje politike për krye parlamentarin, mirëpo në të kaluarën kërkonin votim të të nominuarit të tyre. Ndonëse është e vërtetë se bllokadat e kaluara, në fund ishin zgjidhur me marrëveshje politike si në vitin 2014, ashtu edhe në vitin 2017.
Në shumëçka kjo mendësi i ngjason asaj qasjes ironike, të cilën e ka përshkuar Hegeli në “Ligjëratat e tij mbi estetikën, ku çdo gjë objektive e ka vlerën e instrumenatalitet të “egos subjektive”. Mirëpo, afirmimi absolut i këtij segmenti, në fund rezulton në mohimin e realitetit të jashtëm. Dhe shteti i Kosovës sot më shumë se kurrë po i ekspozohet një rreziku të tillë.
Kjo anomali vërehet edhe në politikën e jashtme. Kushdo që i ka dëgjuar argumentet e partive politike, me theks të veçantë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së, sa i përket detyrimeve shtetërore ndërkombëtare për themelimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e sheh më nga afër këtë tjetërsim. Sipas së dytës, ku entitet që derivon nga Marrëveshja e Parë e Parimeve që e Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në vitin 2013, nuk ishte asgjë tjetër, pos zgjatim tjetër i Asociacionit aktual të Komunave të Kosovës. Mirëpo, nëse paska qenë kështu, atëherë pse kjo parti ka nguruar ta themelojë atë për një kohë të gjatë? Pse i është nënshtruar logjikës anti-shtetërore të Vetëvendosjes? Për më shumë si shpjegohet fakti se ndër kritikuesit kryesor të atij Asociacioni në fund ishte bërë edhe vetë ish-Presidenti Thaci, duke e quajtur të si kancer për rendin juridik të Kosovës dhe bosnjëzim të saj. Dhe këtu duhet pasur parasysh faktin se ne fuqi ende ishte ai model që buronte nga marrëveshja e parë, të ratifikuar dhe nga Kuvendi i Kosovës. Sepse marrëveshja për parimet e nënshkurar nga Isa Mustafa ishte shpallur jo valide në pjesën me të madhe nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2015. Madje të njëjtit duke dashur që t’i mbrojnë arritjet diplomatike të kësaj partie në këtë proces, po i referohen një deklarate të Glauk Konjufcës, në favor të kësaj marrëveshje. Por si u bë që vlerësimi i këtij të fundit tash të jetë politikisht më i qëndrueshëm se sa kritikat e ish-Presidentit.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje një pjesë të madhe të simpatisë politike e ka fituar duke e kundërshtuar atë entitet, mirëpo që e ka pranuar një tjetër edhe me problematik, në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel me Marrëveshjen bazë dhe Aneksin e zbatimit në Ohër. Por që po ashtu tash refuzon ta zbatojë.
Prandaj edhe kundërthënie të tilla nuk janë asgjë tjetër pos shprehje e të njëjës logjikë politike ironike. Ku shteti ka vlerë për aq sa u shërben interesave të liderëve. Sepse të tillët nuk ngurojnë të marrin obligime ndërkombëtare shtetërore për të plotësuar imazhin e tyre diplomatik, mirëpo kur ato detyrime mund të prodhojnë kosto elektorale, atëherë u kundërvihen atyre duke ia lënë si barrë shtetit.
Dhe është kjo mendësi e cila është shndërruar në burim të një krize permanente politike dhe zhvleftësim ndërkombëtar sa i përket seriozitetit shtetëror. Sa më shumë që zgjat, aq më të mëdha do të jenë pasojat. /TV Arbëria