20:26 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ta luash injorantin për të mbuluar afera korruptive

Ta luash injorantin për të mbuluar afera korruptive

Shkruan: Afrim Kasolli

Para pak dite, në shkrimin “Gazetari dhe pushteti”, duke u bazuar në gjetjet e prezantuara nga gazetari Lirim Mehemtaj, në emisionin Debat Plus në Tv Dukagjin, e kisha fituar përshtypjen se mënyra se si kishte vendosur ministri i Bujqësisë, Faton Peci t’ia bënte apologjinë vetës, lidhur me dyshimet për aferat e tij të mundshme korruptive, vetëm sa i konfirmonte pretendimet e gazetarit Mehmetaj.

Ky i fundit, kishte zbuluar se si ministria e Bujqësisë, kishte ndarë fonde për një kompani që ka për aktivitet biznesor mbetjet shtazore, që ishte themeluar pak para se ta fitonte grantin e ministrisë në fjalë. Për më shumë kishte dyshime se kjo mbështetje ishte bërë në kundërshtim me normat ligjore në Kosovë.

Nga një studio tjeter televizive, ministri Peci ishte kundërpërgjigjur duke belbezuar se fillimisht “nuk e njeh bazën ligjore”se ka “kërkuar rekomandim nga ministria e Drejtësisë” e deri te interpretimi se shumë vendime në dikasterin qeveritar që e menaxhon, janë të strukturave profesionale administrative të ministrisë, e jo të atij personalisht. Madje, duke shkuar deri atje se kush është ai “si ministër të dalë kundër stafit të kualifikuar për keto detyra?.

Nuk munguan as insinuatat për t’i atribuuar gazetarit Mehmetaj, konstatime se gjoja ka deklaruar se Presidentja Osmani, e ka ndërtuar shtëpinë e saj në një lagje luksoze me para të ministrisë së Bujqësisë, që u pa qartë që nuk i kishte pohuar.

Arsyetime keto që nuk janë asgjë tjetër, pos përpjekje për t’u strukur nën emrin e përgjegjësisë kolektive dhe për ta luajtur injorantin si metodë për shfajësim.

Sidoqoftë, skandali me këtë aferë vetëm sa po vjen duke u thelluar. Mediumi kallxo.com, tashmë e ka zbuluar se “kompania amë e saj është në Beograd dhe pronar është një shtetas i Serbisë”.

Ndaj këtij skandali, ministri Peci paska vendosur të shfajsohet në të njëjtën mënyrë. Ai ka deklaruar për mediumin në fjalë “se nuk e ka ditë” për një gjë të tillë. Dhe se “për herë të parë po dëgjoj. Nuk e njoh askënd nga pronarët, nuk më takon mua me i hi me shpalos dokumentacionin e konsorciumit”. Pra sipas tij “nuk është as në dorë të Ministrit e as të Ministrisë/Agjencisë që të jetë në rrjedha e të pretendojë të kontrollojë se kush kujt i shet apo i blen aksione në marrëdhënie kontraktuale”.

Ky reagim i ri i ministrit Peci, nuk është asgjë tjetër, pos vazhdim i avazit të vjetër të shtihimit të injorantit për t’i mbuluar dyshimet e mundshme të kësaj afere korruptive. Kuptohet këtë në fund do ta vërtetojnë ose jo, organet kompetente ligjzbatuese. /TV Arbëria