Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Specialja për Thaçin: Deri tani, kemi lejuar 13 vizita tek të afërm të sëmurë, apo për të kaluar kohë me familje pas vdekjes së një të afërmi

Specialja për Thaçin: Deri tani, kemi lejuar 13 vizita tek të afërm të sëmurë, apo për të kaluar kohë me familje pas vdekjes së një të afërmi

Zëdhënësi i Gjykatë Speciale, Michael Doyle, përveç një përgjigje fillestare që ka kthyer për Gazetën Express lidhur me lirimin e mundshëm të Hashim Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij që do të bëhet sot në orën 15: 00, ka kthyer edhe një përgjigje shtesë më të zgjeruar, ku tregohet për numrin e madh të pyetjeve që kanë marrë nga gazetarët për atë nëse do të lejohet Hashim Thaçit të vizitojë përsëri Kosovën, shkruan Gazeta Express.

Doyle ka thënë se duke qenë në dijeni për rëndësinë e të qenit bashkë me familjen në situata si kjo, Dhomat e Specializaura përmes kuadrit ligjor ua kanë mundësuar atyre që ndodhen në paraburgim që të kërkojnë vizita në Kosovë për arsye të forta humanitare.

“Gjyqtarët e kanë miratuar këtë rregull bazuar në ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, përfshirë Nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve”, ka thënë Doyle.

Ai ka thënë se deri më tani, Haga ka lejuar 13 vizita për të paraburgosurit, të cilat janë menaxhuar nga Gjykata, vizita ku një i paraburgosur ka vizituar një të afërm të sëmurë ose ka shprehur ngushëllime ose ka kaluar kohë me anëtarët e ngushtë të familjes pas vdekjes së një të afërmi.

“Kur një i paraburgosur bën një kërkesë të këtij lloji, gjyqtarët që merren me rastin vlerësojnë të gjitha rrethanat në kohën kur është bërë kërkesa, me urgjencën dhe dhembshurinë që situata të tilla kërkojnë. Ata vendosin bazuar në kuadrin ligjor të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, ka shtuar tutje Michael Doyle.

Ai në fund të përgjigjes shtesë ka thënë se Gjykata Speciale s’është në gjendje për momentin që të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim specifik në lidhje me Hashim Thaçin. Kjo pasi që kërkesat nga një i paraburgosur dhe vendimet për ato kërkesa mbahen fillimisht konfidenciale meqë përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operative.

Michael Doyle ka thënë se pasi një vizitë humanitare përfundon, gjyqtarët zakonisht riklasifikojnë dokumentet në mënyrë që publiku të informohet në mënyrë më të detajuar.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara ka sqaruar se kur vizitat e tilla urdhërohen nga gjyqtarët, ato organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, por shton se një gjë e tillë mund të marrë kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh për rregullime logjistike komplekse, përfshirë fluturimet dhe sigurinë.

“ Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se, megjithëse vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjyqtarët, organizohen sa më shpejt të jetë e mundur, kjo mund të marrë kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe rregullime logjistike komplekse, përfshirë fluturimet dhe sigurinë”, ka thënë Doyle për Express.