Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Barit Itali, me mbështetjen e Eurojust dhe përmes ngritjes së një Skuadre të Përbashkët Hetimore, ekzekutuan sot një operacion të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.
Operacioni rezultoi në 52 masa sigurimi personale, përkatësisht 29 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Posaçme për anëtarë të grupeve kriminale që vepronin në Shqipëri; një urdhër ndalimi i lëshuar nga Prokuroria e Posaçme; 22 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Barit në Itali.
Në total, janë proceduar 40 shtetas shqiptarë dhe 12 shtetas italianë, të përfshirë në tri grupe të organizuara kriminale, njëra me bazë në Durrës dhe dy të tjera në rajonin e Puglias – Itali, raporton Topchannel.
Gjatë hetimeve 2020–2025, janë dokumentuar 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme narkotikësh në Shqipëri, Itali dhe vende tjera të Evropës. Një nga episodet përfshinte transportin e 255 kg heroinë dhe kokainë në Bari, përmes korrierëve ndërkombëtarë.
Sekuestrimet e pasurive janë kryer paralelisht në të dy vendet dhe përfshijnë në Shqipëri: dy kompani ndërtimi, katër shoqëri tregtare dhe restorante, një agjenci pasurish të paluajtshme, një televizion kabllor, automjete luksoze, para kesh etj.
Më parë, gjatë hetimeve janë sekuestruar tre milionë euro kesh.
Në Itali janë sekuestruar nëntë apartamente, katër kompani, shtatë llogari bankare, tri automjete.
Hetimet u bazuan në metoda të avancuara hetimore si përgjime telefonike dhe ambientale, regjistrime video, vëzhgime dhe kontrolle, analiza të komunikimeve të koduara në platformën SKYECC, dëshmi të tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Autoritetet evidentuan se pagesat për lëndët narkotike kryheshin nga Italia drejt Shqipërisë përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare të autobusëve, ndërsa vlera totale e transaksioneve të drogave të dokumentuara arrin në 4.5 milionë euro.
Gjithashtu, është dokumentuar edhe transferimi i mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria drejt Amerikës Latine, si parapagim për një sasi prej 500 kg kokaine që nisej nga Guayaquil – Ekuador.
Procedurat aktualisht ndodhen në fazën e hetimit paraprak, dhe autoritetet po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal, transmeton KosovaPress.