Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Situata Ukrainë-SHBA – Analisti Maliqi: Akoma ka hapësirë për të dalë nga kjo situatë, kontekst që nuk është parë që pas Luftës së Dytë Botërore

Situata Ukrainë-SHBA – Analisti Maliqi: Akoma ka hapësirë për të dalë nga kjo situatë, kontekst që nuk është parë që pas Luftës së Dytë Botërore

Analisti politik Agon Maliqi në emisionin ARB Debat me Rid Berishën në TV Arbëria ka bërë një analizë të situatës së krijuar mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë se Amerika në një formë po e shpërfill Europën për të krijuar një raport me Rusinë, ai shton se ka hapësirë akoma për të dalë nga kjo gjendje.

“Besoj se akoma ka hapësirë për të dalë nga situata, është situatë e pazakonte, sepse është një lloj konteksti që nuk është parë ndoshta që pas Luftës së Dytë Botërore, ku SHBA në një farë forme e shpërfill Europën dhe mundohet të ndërtojë një farë politike në raport me Rusinë, krejt të pavarur prej Europës dhe mbi kurrizin e Europës në njëfarë forme,” ka thënë ai.

Analisti në ARB Debat thekson se rrugëdalja ekziston nëse përmbushen disa kërkesa të SHBA.

“Rrugëdalja ekziston nëse përmbushen disa prej kërkesave të SHBA, që janë që Evropa të marrë përsipër garancinë e sigurisë për Ukrainën, pra që nënkupton njëlloj riarmatosje të madhe, me përmasa të mëdha të Europës, që ka qenë kërkesë e hershme e SHBA, dhe tani plani me sa duket është që kësaj po i prin Britania, por janë bërë pjesë edhe Franca dhe Gjermania. Është që Evropa ta ofrojë këtë lloj garancie për forcat paqeruajtëse të cilat do ta garantojnë një lloj marrëveshjeje paqeje, që paralelisht, paraprakisht, edhe do ta vazhdojnë furnizimin e Ukrainës me armë, që Ukraina të mos negociojë nga një pozicion shumë të vështirë, dhe që me këtë plan t’i shkojnë administratës Trump edhe një herë me propozimin e tyre,” ka thënë Maliqi.

Analisti potencon se serioziteti në Europë është shumë i madh në këtë situatë dhe se nëse plani nuk funksionon, atëherë mund të vihet në pikëpyetje edhe NATO.

“Serioziteti në Europë është shumë i madh kësaj here, sepse në pikëpyetje është nëse nuk funksionon kjo, edhe Ukraina bie. Nëse SHBA-të vazhdojnë të tërhiqen gjithmonë e më shumë nga Evropa, atëherë vihet në pikëpyetje në njëfarë forme edhe vetë NATO,” ka thënë Agon Maliqi në TV Arbëria.