14:46 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si u pozicionua Kosova kundër interesave të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut?

Si u pozicionua Kosova kundër interesave të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut?

 

Shkruan: Afrim Kasolli

Që kur është pavarësuar ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, interesat i shqiptarëve kanë qenë të qartë në atë shtet. E para avancimi i të drejtave kushtetuese dhe kombëtare, e dyta mirëmbajta e agjendës euro-atlantike së vendit fqinj, si dhe e treta kufizimi dhe frenimi sa më i madh i mundshëm i hegjemonisë serbe në kuadër të shoqërisë dhe politikës maqedonase. Ky objektiv strategjik buronte nga modeli policentrik i shqiptarëve si dhe përkushtimi i tyre perëndimor dhe demokratik, për dallim nga klasa politike serbe, e cila e prirë nga regjimi fashist i Miloshevicit, u përcaktua për zgjidhje etnike dhe territoriale, sipas mitologjisë nacionaliste të atij shteti, se “ku është një varr serb, po ashtu është tokë serbe”.

Doktrinë kjo që u shndërrua në burim të shumë tragjedive në këto hapësira. Natyrisht, nuk mund të themi se situata ka qenë ideale deri më tani. Por as nuk mund të mohohen arritjet gjatë këtij harku kohor. Mirëpo, veçanërisht interesi i tretë i shqiptarëve është dëmtuar teje mase kohën e fundit, pas rikthimit në pushtet të VMRO-DPMNE-së në koalicion me partitë shqiptare VLEN, të drejtuar nga Kryeministri Hristijan Mickoski. Dhe siç dihet kjo marrëveshje ishte përkrahur në masë të madhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me qëllim që Ali Ahmeti të mbetej një opozitë edhe pse ai i fitoi zgjedhjet në pjesën shqiptare. Arsyetimi i këtij intervenimi paternalist të Qeverisë së Kosovës, në proceset e brendshme në Maqedoni të Veriut, ishte se në këtë mënyrë synohej që të pamundësohej projekti i “Ballkanit të Hapur”, ngase ky projekt ku bënin pjesë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ishte në shërbim të interesave rajonale të Beogradit.

Mirëpo sot, siç e dëshmoi në një intervistë për Kanalin 10, njëri nga ish-drejtuesit kryesor të koalicionit VLEN-it, Arben Taravari, ndikimi i Serbisë në Maqedoni të Veriut është më i madh se kurrë gjatë 35 viteve të fundit . Kuptohet, se do të ndodh rritja e këtij ndikimi ka qenë e ditur paraprakisht. Në fund të fundit, njëra nga arsyet që VMRO-DPMNE, i kishte fituar zgjedhjet ishte manipulimi me frikën dhe ankthin maqedonase se identiteti tyre etnik ndodhet në rrezik, si nga Bullgaria ashtu edhe nga shqiptarët. Në rastin e parë, për shkak të kërkesës së Sofjes për ndryshime kushtetuese ku edhe etnia bullgare do të shndërrohej në kategori kushtetuese, kurse në rastin e dytë nga pushteti i madh që kanë fituar shqiptarët. Prandaj ka qenë e ditur që nga fillimi se menaxhimi i kësaj paranoje anti-shqiptare dhe anti-bullgare, nuk mund të bëhet ndryshe pos në aleancë me Serbinë.

Me këtë nuk them që Qeveria e Kosovës ka ndikuar që kjo parti maqedonase t’i fitojë zgjedhjet. Por marrëdhëniet “idiliko-politike” të së parës më të dytën, intervenimi i Kosovës, si dhe përkrahja e pa rezervë e koalicionit aktual që tashmë po shihen rezultatet, e ka pozicionuar shtetin e Kosovës në kundërshtim me interesat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. Në disa shkrime kam ngritur dyshime se kjo aleancë e Kurtit me Mickoskin, mund te jetë e kushtëzuar nga interesat energjetike. Pasi biografia e të dytit është e lidhur kryesisht me këtë sektor.

Megjithatë, një gjë e tillë kërkon verifikim. Po ashtu, dikush mund të thotë se kjo qasje nuk është e Kosovës, por e Albin Kurtit. Por këtu nuk duhet harruar faktin, se deri dje ky i fundit ka qenë drejtues fuqiplotë i Qeverisë së Kosovës. Dhe në këtë rast e ka përfaqësuar edhe shtetin, e jo vetëm opinionet dhe bindjet e tij personale. Madje, befasisht kur ka qenë vetëm lider opozitar, ishte i njëjti që e akuzonte pushtetin sotëm në Maqedoni të Veriut, atëbotë në opozitë, si parti që Aleksandër Vuqici e ka në grusht. Përfundimisht, mbështetja e Qeverisë së Kosovës për Qeverinë aktuale të Maqedonisë së Veriut, me pretendimin për ta dobësuar projektin e Ballkanit të Hapur, është e vërtetë se i ka dhënë goditje këtij fundit, por po ashtu për pasojë ka rezultuar edhe me fuqizimin e “Botës Serbe” në shtetin fqinj. Sepse siç e tha ish-drejtuesi i koalicionit Vlen, kjo “botë” është me prezente se asnjëherë tjetër në Maqedoni të Veriut.