Disa vende arabe i kanë dënuar sulmet e Izraelit kundër Republikës Islamike. Ato kanë shprehur frikën se mund të shndërrohen në target të sulmeve si posojë e përshkallëzimit të siutatës. Arabia Saudite i ka dënuar sulmet e Izraelit ndaj programit bërthamor të Iranit si dhe udhëheqësve të tij të lartë ushtarakë.
“Ndërsa Mbretëria dënon këto sulme të tmerrshme, ajo konfirmon se komuniteti ndërkombëtar dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajnë përgjegjësi të madhe për të ndalur këtë agresion,” ka thënë Ministria e Jashtme Saudite.
Irani dhe Arabia Saudite kanë pasur një rivalitet prej dekadash si dy fuqi rajonale të ndara mbi baza fetare. Mirëpo, marrëdhëniet e tyre janë përmirësuar ndjeshëm kohët e fundit. Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat normalizuan marrëdhëniet me Izraelin në vitin 2020, dënuan sulmin “me termat më të ashpër”.
Katari, i cili është akuzuar nga zyrtarë izraelitë se mbështet Hamasin, e quajti sulmin e Izraelit “një shkelje e hapur e sovranitetit dhe sigurisë së Iranit.” Baza më e madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme ndodhet në Katar, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe strehojnë mijëra trupa amerikane pranë kryeqytetit Abu Dabi, duke i bërë këto vende objektiva potencialë nëse Irani vendos të hakmerret ndaj aleatit më të madh të Izraelit, SHBA-ve.
Omani, i cili po ndërmjetëson bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit, dënoi sulmin e Izraelit, duke thënë se ishte “i pamatur” dhe i kryer në një “kohë jashtëzakonisht të ndjeshme” për negociatat bërthamore. Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, i cili po përpiqet të rivendosë sovranitetin duke ulur ndikimin që Irani ka ndërtuar prej dekadash mbi vendin e tij, tha se e “dënon fuqishëm” “agresionin e rrezikshëm izraelit”. “Ai përbën një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit iranian, dhe pasojat e tij kërcënojnë stabilitetin e gjithë rajonit dhe madje edhe paqen botërore.” (CNN)