Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ​Shala: Radoiçiq i siguruar nga strukturat serbe, paralajmërim për pasoja të reja

​Shala: Radoiçiq i siguruar nga strukturat serbe, paralajmërim për pasoja të reja

Serbia vazhdon të strehojë dhe të mbrojë Milan Radoiçiqin, pavarësisht krimeve të rënda për të cilat ai dyshohet, nga ato gjatë luftës në Kosovë më 1998–1999, deri te sulmi terrorist në Banjskë, në shtatorin e vitit 2023.

Kështu ka deklaruar sot eksperti i sigurisë, Drizan Shala ka thënë për Klan Kosova, duke nënvizuar se Serbia, nën drejtimin e Aleksandar Vuçiqit, ka kthyer vendin në një strehë të sigurt për kriminelët e luftës.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë punën e tyre për të identifikuar dhe ndjekur penalisht autorët e krimeve të luftës. Ndaj Radoiçiqit tashmë ka një aktakuzë të ngritur dhe një fletarrest ndërkombëtar,” tha Shala.

Megjithatë, sfida mbetet e madhe, pasi, sipas tij, Serbia refuzon ta dorëzojë Radoiçiqin.

“Milan Radoiçiq është i strehuar në Serbi, dhe kjo faktikon qartë që Beogradi nuk është vetëm strehë për kriminelët e luftës, por edhe partner i tyre. Bashkëjetesa e tij e hapur me presidentin Vuçiq dëshmon se Serbia, si dikur në vitet 1998-1999, edhe sot vazhdon të punojë kundër rendit kushtetues të Kosovës, duke mbështetur grupe të ndryshme kriminale,” theksoi ai.

Shala shtoi se Radoiçiq mbrohet aktivisht nga Agjencia Ushtarake e Sigurisë e Serbisë (VBA), çka e bën edhe më të vështirë dorëzimin e tij para organeve të drejtësisë së Kosovës. Për këtë arsye, ai apeloi që Kosova të intensifikojë presionin diplomatik ndaj faktorit ndërkombëtar për ta bërë të mundur ekstradimin.

Megjithatë, eksperti vlerëson se pas ngjarjeve të Banjskës, situata ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme.

“Sot, pas sulmit terrorist ku Radoiçiq ishte protagonisti kryesor, ai ka humbur mbështetjen që dikur e kishte nga komuniteti serb në Kosovë,” përfundoi Shala, duke lënë të kuptohet se koha nuk po punon më në favor të tij dhe as të Beogradit.