Opinionisti Mentor Shala, në Arb Debat me Rid Berishën, ka thënë se një qeveri me 61 deputetë në Kosovë nuk sjell stabilitet.
“Për momentin, Kosovës nuk i duhet një qeveri me pak deputetë, qeveri me 61 deputetë, për shkak se Kosovës i duhet një stabilitet pak më i madh,” ka thënë ai.
Shala ka folur edhe për ftesën e Albin Kurtit ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke e quajtur këtë veprim të Kurtit taktizim politik.
Opinionisti shton se nëse nuk janë 80 vota të sigurta në Kuvend, do të ketë zgjedhje të reja në vend.
“Unë mendoj që janë taktizime politike nëse veç ka ndodhur koalicioni me NISMA-në. Më shumë është një taktizim elektoral, sepse Kurti e di se me këtë qeveri me 61 deputetë shpejt mundemi me shku në zgjedhje. Nëse jo këtë vit, pas zgjedhjeve lokale që mbahen atëherë sigurisht që në fillim të vitit të ardhshëm, nëse nuk janë 80 vota të sigurta në Kuvend, atëherë do të kemi krizë për zgjedhjen e presidentit dhe kështu vendi mund të shkojë në zgjedhje qysh vitin e ardhshëm,” ka thënë ai në Arb Debat me Rid Berishën. /TV Arbëria