Opinionisti Mentor Shala, në Arb Debat me Rid Berishën, ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri stabile që i përfundon proceset e mëdha dhe rregullon marrëdhëniet me SHBA-të.
Ai shton se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë njëherë e mirë, pasi sipas tij kjo temë ka mbetur peng.
“Duhet një qeveri stabile, e cila fillimisht duhet të ndreqë raportet me SHBA-të. Atë e kemi aleat përnjëmend; aty nuk guxojmë të prekemi. Prandaj, i duhet një qeveri stabile, e cila garanton që nuk do të ketë krizë politike në vend as krizë institucionale. Në mënyrë që të duken pak seriozë para partnerëve ndërkombëtarë dhe të hyjmë në proceset e mëdha, këto procese duhet t’i përfundojmë. Na duhet të përfundojmë me Serbinë, këtë çështje të dialogut, një herë e përgjithmonë. Duhet të bëjmë një marrëveshje me ta. S’mundemi të mbetemi peng të kësaj teme, e cila po na shkakton vazhdimisht probleme dhe nuk po duhet fati i Kosovës. Jemi duke mbajtur një plagë të hapur, që nuk kemi nevojë për të,” ka thënë Shala në TV Arbëria.