Përgatiti: Afrim Kasolli
Çmimet e naftës u rritën me mbi 9% të premten, duke arritur nivelet më të larta në gati pesë muaj, pas një sulmi ajror të ushtrisë izraelite ndaj Iranit që goditi objekte bërthamore, fabrika raketore dhe komandantë ushtarakë, shkruan BBC.
Ky përshkallëzim i tensioneve në Lindjen e Mesme ka ngritur alarmin për mundësinë e ndërprerjeve së furnizimit me naftë, veçanërisht përmes ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e naftës globale. Çmimi i naftës Brent arriti në 75.65 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate (WTI) u rrit në 74.47 dollarë për fuçi, duke shënuar lëvizjet më të mëdha ditore që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022. Analistët kanë paralajmëruar për rreziqe te reja gjeopolitike dhe pasiguri, duke theksuar se ndikimi në furnizimin me naftë do të varet nga reagimi i Iranit dhe mundësia e përfshirjes së SHBA-së.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka premtuar hakmarrje të ashpër, duke akuzuar SHBA-në për bashkëpunim për shkak të mbështetjes së saj për Izraelin. Shtetet e Bashkuara mohuan përfshirjen në veprimet e Izraelit, por i bënë thirrje Iranit të mos godasë objektiva amerikanë.
Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, tregjet financiare globale reaguan me rënie të aksioneve dhe një kalim të investitorëve në asete të sigurta si ari dhe franga zvicerane, për shkak të frikës në rritje për një konflikt më të gjerë rajonal.