Fadil Muqolli ka rrëfyer përjetimet e tij nga masakra e Poklekut. Ai, në “Përtej Tregimit” me Valentina Ahmetin në TV Arbëria, ka treguar në detaje se si ndodhi kjo masakër.
Muqolli ka treguar tmerrin e 17 prillit të vitit 1999, ku iu vranë edhe 14 anëtarë të familjes së tij, në mesin e 59 personave që ndodheshin në shtëpinë ku ndodhi masakra.
“Më datë 17 prill 1999, forcat serbe e kanë sulmuar fshatin. Familja vendosi të shkojë në Drenas, dhe ata hynë në Drenas. I kam përcjellë me sy derisa ata hynë në Drenas, dhe kam qenë i sigurt që familja ime në fshat nuk ishte më. Kam shkuar në pozicionin ku ishin ushtarët dhe vëllai im. Forcat serbe i kishin dalë në rrugë dhe iu kishin thënë të ktheheshin. Babai i refuzoi, ata qëlluan në ajër me pushkë automatike, duke kërcënuar se nëse nuk ktheheshin, do t’i vrisnin aty. Familja jonë u kthye, pa e ditur ne”, ka thënë ai në TV Arbëria.
“Forcat serbe nuk kishim mundësi t’i ndalnim për të hyrë në fshat, por ata hynë dhe shkuan në shtëpi, ku nxorën jashtë babanë, Sinanin dhe Ymer Elshanin, dhe i ekzekutuan. Menjëherë pas ekzekutimit, ata shkuan drejt hyrjes së shtëpisë dhe qëlluan për të penguar largimin e të tjerëve nga shtëpia. Ata hynë brenda dhe hapën derën e dhomës ku ishin 57 persona, duke hedhur dy bomba dore. Pas shpërthimeve, ata hynë brenda me pushkë automatike dhe derisa ai ka mendu që i ka vrarë të gjithë” tregon tutje Muqolli.