Në kuadër të Ditës Botërore të Fëmijëve, në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë u mbajt akademia përkujtimore me titull “RIKUJTESË – ATA JANË VETË LIRIA”, kushtuar 1432 fëmijëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë, viktima të gjenocidit të kryer nga Serbia.
Ngjarja mblodhi familjarë të viktimave të cilët përmes fjalimeve, pamjeve dokumentare dhe rrëfimeve të gjalla nderuan kujtimin e fëmijëve të pafajshëm që humbën jetën gjatë konfliktit.
Për herë të parë, dy vajza të mbijetuara nga lufta dolën para publikut me rrëfimet e tyre tronditëse, duke ndarë përvojat personale si dëshmitare okulare të dhunës dhe mizorive të përjetuara. Rrëfimet e tyre prekën thellë të pranishmit dhe sollën në vëmendje plagët e pambyllura të së kaluarës.
Organizatorët e ngjarjes theksuan se kjo akademi përkujtimore është një thirrje për drejtësi dhe përkujtim të vazhdueshëm të fëmijëve që nuk patën mundësi të jetojnë lirinë për të cilën u flijuan.
Kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm të ndërgjegjësimit publik dhe institucional për të kaluarën e dhimbshme, por edhe për domosdoshmërinë e ruajtjes së kujtesës kolektive në emër të së vërtetës dhe drejtësisë. /TV Arbëria