Qëndrim Kryeziu nga Korporata Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve për të ndryshuar narrativën rreth trashëgimisë kulturore në Kosovë, duke theksuar se as Rusia, Serbia, Këshilli i Sigurimit, apo ndonjë gjykatë ndërkombëtare nuk kanë mundur dhe nuk do të munden të ndryshojnë të vërtetën.
Në një postim publik, Kryeziu ka deklaruar se Kisha Ortodokse Serbe nuk ka asnjë të drejtë ligjore mbi trashëgiminë kulturore shqiptare në Kosovë, duke iu referuar një aktvendimi të formës së prerë nga gjykatat përkatëse.
Posrtimi i tij i plotë:
As Rusia bashkë me Serbinë, as Këshilli i Sigurimit apo ndonjë gjykatë ndërkombëtare, nuk arritën ta ndryshojnë të vërtetën herën e kaluar — dhe as tani nuk do të munden!
Kisha Ortodokse Serbe nuk ka asnjë të drejtë ligjore mbi trashëgiminë kulturore shqiptare në Kosovë. Këtë e ka vendosur njëherë e mirë gjykata me një aktvendim të formës së prerë.
Po ashtu, askush — as gazetarë, portale, apo media të ndryshme — nuk ka të drejtë të manipulojë opinionin publik, të shtrembërojë të vërtetën për qëllime klikimesh, apo të dëmtojë procesin që ka nisur, një proces që nuk guxon të pengohet, e aq më pak nga ndonjë shqiptar që mendon ndryshe, por që harron se është fjala për identitetin dhe sovranitetin tonë.
Kishat ortodokse në Kosovë janë në rrugën e rikthimit të natyrshëm drejt Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare të Kosovës.
Sot, Kisha Ortodokse në Kosovë ka Kryepeshkopin e saj legjitim — Hirësinë e Tij Peshkop Nikolla Xhufka. Çdo banalitet tjetër, çdo përpjekje për të imponuar autoritete të jashtme apo për të krijuar konfuzion, i bën dëm vendit, të ardhmes së fëmijëve tanë dhe vetë Kombit shqiptar. /TV Arbëria