Shkruan: Afrim Kasolli
Për të mërkurën është paralajmëruar një protestë tjetër e kompanive kryesore në vend kundër vendimit të ZRRE-së, që i detyron të parat të cilat kanë mbi 50 punëtorë apo qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, të dalin nga tarifat e rregullta në treg të hapur energjetik. Një e tillë ishte mbajtur edhe para pak dite kur shumë biznese bllokuan hyrje daljet e kryeqytetit. Sipas shumë prej përfaqësueseve të kësaj kategorie, tashmë çmimi i rrymës do të jetë nga “220 deri në 270 për qind më të lartë”. Kosto kjo e papërballueshme për to.
Ndaj këtyre shqetësimeve qeveria në detyrë ka reaguar në mënyrë mospërfillëse. Për më shumë edhe i ka ofenduar. Kryeministri në detyrë Albin Kurti, kishte deklaruar se sjellje të tilla janë të motivuara nga mentaliteti i barrikadave. Duke aluduar në qasjen e grupeve kriminale në pjesën veriore. Por siç i “kemi larguar barrikadat në atë pjesë, po ashtu nuk do t’i tolerojmë në asnjë vend tjetër , sepse koha e tyre ka kaluar”, kishte përfunduar Kurti.
Kurse, vartësja e tij, Artane Rizvanolli, ka shtuar se “Ne e kemi parasysh që këta që janë destruktivë dhe bllokues janë shumë pak, por janë të zëshëm”. Sipas eksponentëve të pushtetit, kjo kategori paraqet vetëm 1 për qind. Një kualifikim i tillë nuk është i rastësishëm. Sepse në këtë mënyrë mëtohet të nxitet zemërimi i publikut kundër kësaj pakicë që e zotëron mbi gjysmën e pasurisë në vend. Ngase sipas të dhënave të njëjtit, i “formojnë 1.300 bizneset kryesore, 59 për qind të qarkullimit të përgjithshëm, 43 për qind të punësimit në sektorin privat dhe 48 për qind të tatimeve që mbledh shteti”. Prandaj, tkurrja e kësaj force që e formon edhe një bazë solide të pavarur ekonomike jashtë kontrollit politik të partisë fituese të zgjedhjeve, mbetet një halë në sy për “pushtetin” aktual.
Mirëpo, përtej këtyre pretendimeve politike, kjo indiferencë ndaj fatit të tyre mbetet edhe motivuar edhe nga kalkulimi për përfitime ekonomike. Ku superstrukturat aktuale politike duke përdorur këtë kalim të detyruar mëtojnë ta shfrytëzojnë situatën për ta ndërtuar infrastrukturën e tyre oligarkike. Sepse asnjëri nga ata që po protestojnë nuk janë kundër këtij kalimi në mënyrë kategorike. Por e tëra që po kërkojnë është që ky transferim të bëhet në mënyrë graduale, ashtu edhe siç e kanë bërë shumë vende tjera të rajonit. Bie fjala, “procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Shqipëri ka nisur që prej vitit 2011, por zbatimi praktik ka filluar gradualisht nga viti 2018, sipas niveleve të tensionit të rrjetit elektrik”, shkruan Evropa e Lirë. Fillimisht, në tregun e hapur kanë kaluar bizneset e lidhura në tension prej 35 kilovatesh (kW), më pas ato në 20 kË dhe së fundmi në 10 kW. Ato janë zakonisht biznese të mëdha, si: uzina, miniera, spitale private, qendra tregtare dhe institucione financiare me më shumë shpenzime të energjisë, thotë Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë”. Pra siç shihet kriter, për një kalim të tillë është përdorur sasia e energjisë së shpenzuar e jo në mënyrë paushalle, kushdo që i ka mbi 50 punëtorë apo 10 milionë euro qarkullim.
Në këtë kontekst anashkalimi i përvojave të vendeve tjera dhe ngutia për të detyruar sa më shpejt bizneset që ta pranojnë këtë kalim lidhet me interesat energjetike të partisë në pushtet. Këtë të fundit e ka konfirmuar edhe Shefi i Kabinetit të kryeministrit në detyrë, Luan Dalipi, duke pohuar se familjar të tij kanë vendosur ta “provojnë fatin edhe në tregun energjetik”. Ky justifikim tregon se njerëz të lidhur me pushtetin synojnë që ta shfrytëzojnë rastin që të licencojnë sa më shpejt kompani qe merren me distribuimin e energjisë. Ashtu edhe siç ka ndodhur me kompaninë fantome NOA Energy. Se kjo sferë është interes primar i Lëvizjes Vetëvendose, ishte treguar që nga përgjimet telefonike në mes të eminencës gri të këtij subjekti politik, Dejona Mihalli dhe ish-krye shefit të KEK-ut, Nagip Krasnqi. Por as emërimi i vëllait të Albin Kurtit në departamentin e tregut në KEK, por edhe zgjedhja e fansit të VV-së, Ylber Batalli në krye të KEK—ut nuk duket të jenë të rastësishme. Në fund të fundit ky kalim nuk mund të bëhet pa anulimin e kontratës KEK-KESCO.
Për më shumë mbeten mister edhe aleanca e çuditshme e Albin Kurtit me kryeministrin aktual të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Arsyetimi zyrtar për këtë partneritet ishte se në këtë mënyrë synohej t’i jepej një goditje fatale projektit të Ballkanit të Hapur, pasi sipas Albin Kurtit një nismë e tillë ishte në shërbim të interesave hegjemonike të Serbisë.
Mirëpo, sot kjo e fundit është më prezente se kurrë me parë në shtetin fqinj. Kurse një hulumtim i thjeshtë në internet i biografisë së drejtuesit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, tregon sa ai në masë të madhe kryesisht ka punuar në sektorin e energjisë. Në vitin 2016 ishte emëruar si i shef i SH.A. “Elektranat e Maqedonisë”, ndërsa në periudhën 2015–2017 si këshilltar për energji i kryeministrave Nikolla Gruevski dhe Emil Dimitriev. A është ky pasion i përbashkët për energjinë ndërmjet dy kryeministrave që ka ndikuar edhe në miqësinë e tyre politike? /TV Arbëria