Shkruan: Afrim Kasolli
Ashtu sikur në protestën e para disa ditësh të bizneseve kundër vendimit arbitrar të ZRRE-së, i cili i detyron të parat të dalin në treg të hapur energjetik, që kishte qenë prezente Njësia Speciale e Kosovës, e njëjta praktikë është përsëritur edhe sot. Pjesëtarë të kwtij segmenti të Policisë janë vërejtur befasisht te zyret e ZRRE-së. Dërgimi i kësaj njësie elitare të sigurisë, simptomatikisht tregon mendësinë se si pushteti dhe Qeveria në detyrë, po i percepton aksione të tilla spontane, që kanë për qëllim vetëm si ta mbrojnë ekonominë e vendit, vendet e punës dhe mirëqenien shoqërore.
Thjesht si rrezik potencial për sigurinë publike dhe nacionale. Sepse siç dihet detyrat e këtij segmenti të sigurisë janë të parapara vetëm në raste kur policia e zakonshme nuk mund ta plotësojë rolin e saj. Mirëpo, ata që sot vërshuan në sheshet e Prishtinës duke protestuar kundër një vendimi arbitrar janë prodhues dhe nuk janë shkatërrues. Ata krijojnë të ardhura nga të cilat përfitojnë edhe shuma të majme monetare edhe zyrtarët e kësaj Qeverie. Ata janë punëtorë dhe jo militantë. Nuk paraprihen nga asnjë dogmë ideologjike, apo rryme pseudoteorike, por nga shqetësimi imediat për mbijetesë ekonomike. Interesi i tyre është zhvillimi, e jo rrënimi. Ata e mbajnë gjallë jetën në Kosovë, dhe nuk për qëllim ta mohojnë atë.
Të njëjtit kanë dalur në rrugë jo pse duan, por sepse po u pamundësohet çdo alternativë tjetër. Sepse shumë më shumë do të donin të ishin në vendet e tyre të punës e jo në protestë. Shtresa që më sa paku ka nevojë të angazhohet Njësia Speciale, qoftë edhe si mekanizëm shtese në rast rreziku, janë kjo kategori.
Ngase për ta gurët dhe tullat nuk janë mjete për qëllime politike, por material i parë, ku me përkushtim dhe punën e tyre si forcë lëvizëse i japin formë dhe kanë për qëllim ndërtimin e Kosovës. Të njëjtit kanë nevojë për përkrahje, e jo për demonstrim të forcë ndaj tyre.