Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse kriza aktuale në Kuvendin e Kosovës mund të tejkalohet vetëm politikisht?

Pse kriza aktuale në Kuvendin e Kosovës mund të tejkalohet vetëm politikisht?

Shkruan: Afrim Kasolli

Në një sërë deklarimesh publike, kam pohuar, se bllokada aktuale në Kuvendin e Kosovës është vetëm manifestim i një krizë më të thellë politike, origjina hapur e së cilës mund të gjendet që në vitin 2014. Dhe se aktualisht jemi duke përjetuar klimaksin e asaj fryme që u fermentua gradualisht duke i shterur të gjitha opsionet politike në skenë. Tashme janë djegur të gjitha kartat e bashkëpunimit. Është rrënuar çdo besim ndërmjet subjekteve parlamentare, duke mos lënë asnjë rrugë për shtegdalje nga vorbulla e krizës politike.

Asgjë nuk është e rastësishme për këtë gjendje. Me këtë nuk them se ajo është rezultat i disa forcave deterministe historike, apo i një dekreti hyjnor, ku aktorët politik kanë qenë vetëm instrumente impersoale dhe pa përgjegjësi për atë që ka ndodhur. Por në të vërtetë është fryt i një investimi të gjatë të përbashkët duke i rrënuar të gjitha mundësitë e kombinimeve për bashkëqeverisje.

Prandaj, secili prej subjekteve parlamentare tashmë është bunkerizuar në qerthullin e tyre partiak duke pritur gabimet eventuale të tjetrit, si kriter të vetëm për mbijetesë politike.

Bie fjala, partia fituese e zgjedhjeve edhe pse e para, sot nuk mund të gjejë partner politik, sepse për një kohë të gjatë i ka qëndruar besnik asaj thënies së njohur revolucionare “digji të gjitha urat e bashkëpunimit” (burn all the bridges behind you). Është e vërtetë që ky patos revolucionar i ka ndihmuar të rritet elektoralisht, por duke e lënë të vemtuar politikisht.

Mirëpo edhe variantet tjera për bashkëpunim “opozitar” thuajse janë shpërdoruar. Kjo është arsyeja se pse as këto të fundit nuk janë të gatshme për aksion politik. Mashtrimet, intrigat dhe konsiparacionet që janë kanë bërë njëra-tjetrës për këto vite, nuk kanë lënë asnjë shans tjetër. Sepse siç ka pohuar, Hannah Arendt, askund më shumë se në politikë qeniet njerëzore nuk përballen me pasojat e veprimeve të veta.

Në këtë kontekst, janë përmendur disa mundësi juridike se si do të mund të gjendej një rrugëdalje nga kjo situatë. Madje duke e adresuar edhe në Gjykatë Kushtetuese bllokadën aktuale. Ndonëse kjo e fundit mund t’i caktonte limitet e pakufishme të partisë fituese të zgjedhjeve për ta mbajtur të monopolizuar vetëm më një emër të drejtën e saj të nominimit për kryetar të kuvendit, apo të përcaktonte proceduarat për hapat e mëtutjeshëm, përsëri interpretimi i saj nuk do të ofronte ndonjë mrekulli shtesë për tejkalim të kësaj krize. Ngase materializimi i normave të saj varet nga vullneti politik. Diçka që asnjë institucion juridik nuk mund t’ua implantojë asnjërit prej subjekteve politike.

Rrjedhimisht “mira” e kësaj krize tashmë po dëshmon, se sjelljet e deritanishme të partive parlamentare, e kanë arritur atë cak ku tashmë nuk kanë çka të bëjnë as më vetveten. Prandaj edhe janë komode me këtë bllokadë. Por kjo gjendje nuk është asgjë tjetër, pos pozicion antipolitik dhe johistorik. Ngase sfera aktive e politikës lidhet më aksionin si një si “instrument” të për të iniciuar procese të reja. Duke qene se secilës tashmë i mungon aftësia për të dalur nga ky rreth vicioz, megjithatë në këtë mënyrë ato e kanë shtruar rrugën e vetëdestruktivtetit të tyre, si parakusht për lindjen e në fillimi të ri.

Përfundimisht , kriza aktuale nuk mund të tejkalohet ndryshe pos me anë të politikës. Sepse siç shkruan filozofja e sipër cekur, Hannah Arendt, pavarësisht zymtësisë që mund t’i pushtojë shoqëritë njerëzore, çdo “fund njëkohësisht shënon edhe fillimin e ri”. E ky i “fundit para së të shndërrohet në një ngjarje historike dervion nga kapaciteti suprem i njeriut që është identik me lirinë”. /TV Arbëria