10:44 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse Kosova ndodhet në krizë politike?

Pse Kosova ndodhet në krizë politike?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Në një sërë shkrimesh kam insistuar se drama neveritëse që po e shohim në dështimet e vazhdueshme për mos konstitumin e Kuvendit të Kosovës, para se të jetëprocedurale dhe juridike është para së gjithash politike”.

Në disa prononcime të fundit e kam parë se edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka filluar ta mbrojë këtë tezë. Por pa ofruar asnjë alternativë se si duhet të çahet ky rreth vicioz i krizës politike. Sipas tij, e tërë kjo situatë është pasojë mungesës së vullnetit politik të partisë fituese të zgjedhjeve.

Mirëpo, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për subjektet “opozitare”. Sepse nuk ka asnjë procedurë ligjore që mund t’i ndalojë këto të fundit ta formojnë një qeveri “opozitare” duke e shpërfillur mungesën e vullnetit të “pushtetit”. Prandaj, me këtë indolencë të parat vetëm sa janë shndërruar në faktorë që e legjitimojnë këtë krizë politike dhe që iu mungon “terapia” për kurimin e saj. Kjo ka bërë që sot të dyja palët të gjejnë ngushëllim të emri i Albulena Haxhiut, për ta justifikuar mosveprimin e tyre.

Ndërkohë, siç e kam potencuar disa herë, po ashtu rrënjët e kësaj krize, janë produkt i zhvillimeve të brendshme, veçanërisht që nga viti 2014 e këndej, si dhe mungesës së guximit të tyre për t’u përballur me atë e që e pret Kosovën, sa i përket detyrimeve në raport me procesin e zbatimit të obligimeve të marra në dialog me Serbinë. Secila prej tyre janë besatuar para opinionit se do t’i shpërfillin marrëveshjet e dakoduara në këtë proces. Por ato e dinë se pretimet e brendshme nuk kanë asnjë rëndësi sa i përket detyrimeve shtetërore në raportet ndërkombëtare. Kështu, tashmë ato janë duke u ballafaquar me zotimet e thata të tyre.

Zakonisht njëri nga definimet më të njohura për krizën, merret ai i mendimtarit të njohur italian me prirje marksiste, Antonio Gramsci-t, se ajo shfaqet “atëherë kur e vjetra ndodhet në procesin e dekompozimit, por e reja nuk mund të lind ende. Dhe në këtë interrgnum, manifestohen lloj lloj simtoma morbide”.

Parimisht, sot Kosova ndodhet në këtë vakum politik. Qytetarët e Kosovës e votuan Lëvizjen Vetëvendosje më shpresën se kjo e fundit do ta hapte shtegun e ndërtimit të një modeli të ri politik. Por kjo e fundit vetëm sa u akomodua në trashëgimin e së kaluarës të cilën premtonte ta korrigjonte. Rasti i çmimit të energjisë elektrike është vetëm njëra nga këto dukuri. Ajo është pasojë e introjektimit të frymës neoliberale ekonomike, ku interesat e kompanive ndërkombëtare janë më të rëndësishme, se sa shqetësimet e qytetarëve. E tëra kjo sepse në këtë mënyrë kalkulohet se më lehtë mund të mbahet pushteti. Pasi siç ka pohuar sociologu i njohur, Zygmunt Bauman, në kushtet e një moderniteti fluid i pari është global, kurse politika është shndërruar në performancë lokale. Prandaj, ky seperacion i politikës dhe pushtetit, ka ndikuar që e para të jetë e pafuqishme në raport me të dytën. Çfarë edhe përfaqëson njërën nga rrënjët e krizës. E të mos flasim për adaptimin tjetër të partisë në pushtet sa i përket shfrytëzimit të klientelizimit, familjarizimit e patronazhit si mjet për mbijetese në lartësitë e Olimpit politik.

Në ndërkohë, paritë opozitare në vend se ta shfrytëzonin këtë situatë për t’i korrigjuar ato prirje politike që ndikuan në masivizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, si parakusht për ta mundur këtë fundit, në fakt e përdoren këtë gjendje për t’i akomoduar edhe më mirë brenda vetës, me pretendimin dhe iluzionin se tashmë të gjithë jemi njëlloj, nuk dallojmë nga njëri-tjetri, kështu që nuk kemi nevojë për ndryshim të brendshëm.

Është ky akomodim i tyre, i cili ka ndikuar qytetarët e Kosovës sot të jenë të braktisur politikisht nga këto formacione. Prandaj, këto të fundit kanë zgjedhur mosveprimin se mjet për mbijetesë. E, kjo mpleksje e interesave të partive politike parlamentare që ta mbrojnë njëra tjetrën pa ndryshuar e formon kuintesencën e krizës politike në Kosovë. Të gjitha të tjerat epifenomen i këtij problemi madhor.