Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë drejtuar kritika në adresë të presidentes Vjosa Osmani me pretendimin se ajo është pajtuar për zgjatjen e mandatit të EULEX-it dhe Gjykatës Speciale.
Vetë OVL e UÇK-së kanë publikuar përgjigjen që kanë marrë nga zyra e presidentes Vjosa Osmani lidhur me këtë çështje.
Të nderuar,
Ju njoftojmë se vendimi për zgjatjen e mandatit të EULEX-it është Vendim i Këshillit të BE-së, i datës 5 qershor 2025. Shkëmbimi i letrave ndërmjet Presidentes dhe Përfaqësueses së Lartë në lidhje me mandatin e EULEX-it ende nuk ka ndodhur. Megjithatë, ashtu si në të kaluarën (qoftë në shkëmbimin e letrave nga ish-Presidenti Thaçi, ashtu edhe në shkëmbimin e letrave nga Presidentja Osmani), mandati i EULEX-it nuk ka asnjë lidhje me mandatin e Gjykatës Speciale.
Mandati i EULEX-it ka të bëjë ekskluzivisht me mentorim, këshillim dhe monitorim – pra, është thjesht një mandat teknik, pa kompetenca ekzekutive.
Nëse keni nevojë për sqarime shtesë, si gjithmonë jemi të gatshëm të takohemi. Megjithatë, ju sigurojmë se deklarimet se kinse Presidentja ka vazhduar mandatin e Gjykatës Speciale janë shpifje dhe propagandë.
Sipas Kushtetutës sonë, mandatin e Gjykatës Speciale mund ta ndryshojë, vazhdojë apo ndërpresë vetëm Kuvendi i Kosovës, institucioni që e ka krijuar këtë gjykatë përmes një amendamenti kushtetues të votuar me 2/3 e votave. Presidentja nuk ka nënshkruar asnjë dokument që ka të bëjë me vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale.
Gjatë mandatit të saj si Presidente, ajo ka mbrojtur gjithnjë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe të drejtat e veteranëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve të UÇK-së dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen.
Çdo të mirë,
Ekipa Ligjore në Kabinetin e Presidentes