Ndërsa ilaçet si Ozempic dhe të ngjashmet e klasës GLP-1 po fitojnë popullaritet të madh për efektin e tyre në rënien nga pesha, një trend i ri ka shpërthyer në rrjetet sociale: një pije natyrale me emrin ‘Oatzempic’.
Çfarë është ‘Oatzempic’?
Emri është një lojë fjalësh që i ngjan Ozempic, por përbërësit janë shumë më të thjeshtë: tërshërë, ujë, lëng limoni dhe ndonjëherë kanellë. Ideja pas kësaj pijeje është se fibra e tretshme që përmban tërshëra ndihmon në ndjesinë e ngopjes, duke zvogëluar kështu oreksin gjatë ditës.
Përdorues të platformës TikTok si @fred_ddy92 kanë ndarë përvojat e tyre me këtë pije. Pas 24 ditësh përdorimi të përditshëm, ai deklaroi se “pija funksionon qartë” përsa i përket humbjes së peshës, duke theksuar se nuk është zëvendësim vakti, por ndihmon në ndjesinë e ngopjes.
Çfarë thonë dietologët?
Dietologia klinike Sara Riehm, eksperte në menaxhimin e obezitetit, tregon se edhe pse ‘Oatzempic’ nuk është një zgjidhje magjike, mund të ndihmojë si pjesë e një plani të strukturuar ushqimor.
“Tërshëra bëhet e rrezikshme vetëm nëse konsumohet si burimi i vetëm i ushqimit. Duhet të përdoret si suplement, jo si zëvendësim vakti”, thotë Riehm.
Sipas saj, fibra e tretshme që përmban tërshëra ndihmon në ngopjen dhe stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak, duke bërë që individët të marrin vendime më të mira ushqimore gjatë ditës. Ajo shton se kanella mund të shtohet për shije, por efektet e limonit në metabolizëm nuk janë të mbështetura nga prova të forta shkencore.
Nutricionistja holistike Robin DeCicco shfaq më shumë skepticizëm ndaj pijes, duke e parë atë si një zgjidhje të përkohshme për një problem afatgjatë.
“Njerëzit kërkojnë zgjidhje të shpejta, por humbja e qëndrueshme e peshës kërkon ndryshim të zakoneve dhe marrëdhënie të shëndetshme me ushqimin”, shprehet ajo.
Sipas DeCicco, efektet e mundshme të kësaj pijeje lidhen më shumë me reduktimin e kalorive se sa me ndonjë përbërës ‘magjik’. Ajo thekson se mungesa e lëndëve ushqyese të tjera, si antioksidantët dhe yndyrnat e shëndetshme, e bën këtë pije të papërshtatshme për konsum afatgjatë.
A është ‘Oatzempic’ i rrezikshëm?
Jo domosdoshmërisht. Megjithatë, ekspertët bien dakord se nuk duhet të zëvendësojë një vakt të plotë. Mund të jetë një opsion i shpejtë për mëngjes për ata që nuk konsumojnë mëngjes rregullisht, por duhet të jetë pjesë e një diete të ekuilibruar.
“Nëse amerikanët do të konsumonin më shumë fibra, me siguri do të hanin më pak ushqime të përpunuara dhe do të kishin më pak probleme me peshën dhe shëndetin në përgjithësi”, përfundon DeCicco. Syri.net-iefimerida