Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës, Nikoll Xhufka, ka lëshuar një deklaratë publike alarmuese, ku pretendon se është përgjuar dhe ndjekur nga një automjet i regjistruar në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë gjatë një vizite zyrtare në Greqi.
Sipas deklaratës për media, delegacioni i Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës, i udhëhequr nga peshkopi Xhufka, kishte realizuar një vizitë zyrtare në disa manastire në Greqi me qëllim kërkimin e njohjes shpirtërore dhe bashkimit kishtar me kishat ortodokse të rajonit.
“Lavdi Zotit, disa prej këtyre institucioneve na pritën me dashuri të madhe dhe dhanë bekimin e tyre për besimtarët ortodoksë të Kosovës (Dardanisë), duke afirmuar të drejtën tonë për autoqefali dhe liri shpirtërore,” thuhet në deklaratën e peshkopit.
Megjithatë, ai thekson se vizita u shoqërua nga një incident i rëndë sigurie. Jashtë njërit prej manastireve ku po qëndronte, një automjet me targa ushtarake serbe BG2707AV ishte i parkuar dhe, sipas tij, kishte për qëllim ta fotografonte dhe ta mbikëqyrte atë personalisht.
“Por, një incident tepër i turpshëm dhe i rrezikshëm ndodhi gjatë kësaj vizite. Jashtë manastirit ku po qëndroja, një automjet me targa ushtarake serbe (BG2707AV) qëndronte i parkuar duke më fotografuar dhe mbikëqyrur. Pasi e dokumentuam, verifikuam zyrtarisht se automjeti është i regjistruar në emër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Serbisë’, thuhet në deklaratë.
“Ky veprim është i papranueshëm, i rrezikshëm dhe një akt i pastër provokimi e frikësimi,” tha Kryepeshkopi Xhufka, duke shtuar se ndihet personalisht i kërcënuar dhe i vënë në shënjestër.
Ai ka bërë thirrje për reagim urgjent nga institucionet e Republikës së Kosovës, Ambasada e SHBA-së dhe faktori ndërkombëtar, duke e konsideruar incidentin si shkelje flagrante të sigurisë dhe të dinjitetit njerëzor.
“Ecim me paqe, por nuk gjunjëzohemi kurrë përballë padrejtësive,” thekson në fund të deklaratës peshkopi, duke bashkëngjitur edhe një dëshmi fotografike të automjetit të përmendur.