Përfundojnë pa rezultate negociatat e para në tri vjet Ukrainë-Rusi
Sot në Stamboll u mbajtën negociatat e para të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës në më shumë se tre vjet.
Ato zgjatën më shumë se një orë dhe Vladimir Putin dhe Volodomyr Zelensky nuk ishin të pranishëm.
Ukrainasit udhëhiqen nga ministri i mbrojtjes Umerov, rusët nga këshilltari i Putin Medinski, kreu i diplomacisë turke Hakan Fidan kryesoi takimin.
Para negociatave mes rusëve dhe ukrainasve, u mbajt një takim i shkurtër i delegacioneve të Turqisë, SHBA-së dhe Ukrainës.
Rusia, për kujtesë, thotë se negociatat e reja në Stamboll i sheh si vazhdimësi të negociatave që u zhvilluan në javët e para të luftës në 2022, edhe në Stamboll. Por kushtet e diskutuara në atë kohë, ndërsa Ukraina ishte ende duke u rikuperuar nga pushtimi fillestar rus, do të ishin jashtëzakonisht të pafavorshme për Kievin.
Ato përfshinin kërkesën e Moskës për reduktime të mëdha në përmasat e ushtrisë ukrainase. Shefi i shtabit të Zelensky, Andriy Yermak, tha se përpjekjet ruse për të koordinuar bisedimet e reja me negociatat e mëparshme të pasuksesshme do të dështonin.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, i cili drejton delegacionin ukrainas në negociatat në Stamboll, njoftoi pas përfundimit të negociatave me palën ruse një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve me Rusinë në parimin “1000 për 1000”, njoftuan mediat ukrainase.
“Ne e dimë datën, por nuk do ta zbulojmë për momentin”, tha Umerov, duke shtuar se shkëmbimi mund të ndodhë së shpejti, raporton Kosovapress.
Gjatë bisedimeve të sotme në Stamboll, Rusia kërkoi që Ukraina të dorëzojë pjesë të territorit të saj që janë ende nën kontrollin e Kievit, tha një burim i njohur me negociatat për CNN.
I pyetur nëse kjo i referohet kthimit të plotë të forcave ruse në katër rajonet lindore Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson, burimi u përgjigj: “Po”.
Rusia tentoi t’i aneksojë ilegalisht këto katër rajone në vitin 2022, por edhe sot nuk ka kontroll të plotë mbi to.
Një burim ukrainas tha se kërkesat e Rusisë ishin “plotësisht të shkëputura nga realiteti” dhe “shumë përtej çdo gjëje që ka qenë objekt diskutimi deri më tani”. Ai shtoi se këto ishin pika “të papranueshme dhe jo konstruktive”, të cilat përfaqësojnë “qasjen joserioze” të Moskës ndaj negociatave.
Pas përfundimit të negociatave të sotme në Stamboll, vijnë reagimet e para nga burime ukrainase, duke treguar se nuk ka shenja progresi.
“Delegacioni rus nuk kishte mandat për të marrë vendime të rëndësishme”, tha një burim ukrainas i njohur me negociatat, raporton CNN. “Ata nuk janë të gatshëm të vendosin ndonjë gjë të rëndësishme që do të çonte në përfundimin e luftës”, shtoi i njëjti burim.
Edhe pse vetë presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për negociata, ai nuk u paraqit në Stamboll, por dërgoi një ekip të udhëhequr nga një këshilltar nga Kremlini.
Rusia po përdor bisedimet e sotme në Stamboll për të “blerë kohë dhe për të shtirur një vullnet për paqe”, tha një burim i afërt me ekipin negociator ukrainas për BBC.
Sipas të njëjtit burim, Rusia paraprakisht kishte kërkuar që SHBA të mos marrin pjesë në takim, ndonëse paraprakisht ishte konfirmuar se delegacioni amerikan do të zhvillonte një takim të veçantë dypalësh me rusët, jashtë formatit trepalësh me Ukrainën dhe Turqinë, raporton KosovaPress.
“Ne erdhëm me një mandat të qartë”, tha burimi, duke shtuar se Ukraina po i merrte seriozisht negociatat, ndryshe nga Rusia.