Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > “Parlamenti Evropian kërkon kapitull të ri në dialogun Kosovë–Serbi dhe heqjen e masave ndaj Kosovës”, çfarë thonë analistët

“Parlamenti Evropian kërkon kapitull të ri në dialogun Kosovë–Serbi dhe heqjen e masave ndaj Kosovës”, çfarë thonë analistët

Parlamenti Evropian më 7 maj ka miratuar rezolutën për Kosovën. Ky dokument kërkon që dialogu me Serbinë të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, një marrëveshje që përmban njohjen e ndërsjellë.

Në këtë rezolutë gjithashtu thuhet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Po ashtu, në aspektin e bisedimeve me Serbinë në dokument thuhet se nevojitet një “kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit”, sepse mjerisht, sipas eurodeputetëve, “dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, fatkeqësisht nuk ka prodhuar rezultatet e pritura”.

Për këtë çështje për TV Arbëria kanë folur analistët politikë.

Analisti Halil Matoshi thotë se Albin Kurtit i intereson vetëm pushteti personal.

“Albin Kurti nuk është i interesuar për t’i dhënë drejtim Kosovës, ai do të sillet njëjtë edhe me Bashkimin Evropian si me Këshillin e Europës, sepse i intereson vetëm pushteti personal,” kështu ka deklaruar analisti Matoshi për TV Arbëria.

Ai ka shtuar se Kurti nuk është në skenën politike për të ofruar zgjidhje, por për të ngritur komplot.

Për temën e njëjtë ka shkruar edhe analisti Afrim Kasolli.

Një pjesë nga shkrimi i tij:

Në anën tjetër, një sërë diplomatësh ndërkombëtarë e kane shtruar si nevojë urgjente tejkalimin e krizës aktuale politike në Kosovë, për shkak të pamundësisë për t’u konstituuar Kuvendi me qëllim nisjen e procesit të sipër-përmendur.

Kësaj thirrje në fund dje iu bashkua edhe Parlamenti Evropian. Nëpërmjet një rezolute ky institucion ka pohuar se e procesi integrues i Kosovës, ka nevojë për një momentum të ri” Po ashtu, nevojitet një “një kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit”, sepse mjerisht, sipas eurodeputetëve, “dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, fatkeqësisht nuk ka prodhuar rezultatet e pritura”. Në këtë drejtim, të njëjtit u kërkuan të dyja palëve “që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtar”.

Parlamenti evropian edhe kohë më parë ishte shprehur kritik mbi mbarëvajtjen e dialogut dhe rezultatet e tij. Madje, nëpërmjet një rezolute tjetër, eurodeputetet kishin bërë thirrje që të ndryshonte qasja e Brukselit, si lehtësues i këtij procesi, sepse dështimi i këtij të fundit e dëmton peshën dhe rolin gjeopolitik të BE-së.

Se dialogu nuk i ka prodhuar rezultatet e pritura është evidente. Kurse mjerisht nga progresi në këtë drejtim varet edhe ai i integrimeve euro-atlantike. Një konstatim të tillë, e pohoi edhe shefja e Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. E njëjta ka deklaruar se janë duke i “shqyrtuar opsionet që përpos dialogut të mendohet edhe ndonjë mjet tjetër se si do të mund të kontribuonte në drejtim të normalizimit ndërmjet dy vendeve, por nuk ka lënë pa shtuar se janë duke i analizuar edhe gabimet që kanë ndodhur në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë e që kanë ndikuar në stagnimin e tij. /TVARBËRIA

 

Halil Matoshi kritikon ashpër Kurtin: Nuk është këtu për zgjidhje, por për komplot e pushtet personal

A po ia lehtëson Kosova punën Serbisë me bllokimin e krijimit të institucioneve të reja?