Shkruan: Afrim Kasolli
Kriza e fundit politike për shkak dështimit për t’u konstituar Kuvendi i Kosovës, i dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit, po e nxjerr gjithnjë e më shumë në sipërfaqe tjetërsimin e raporteve ndërmjet Gjermanisë dhe Britanisë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Ka qenë thuajse sekret publik, se si Berlini ashtu edhe Londra, në masë të madhe kanë qenë suportuese diplomatike të liderit të Vetëvendosjes, si në kohën kur ishte në opozitë, ashtu edhe gjatë mandatit të kaluar qeveritar. Kjo atmosferë “romantike politike” në rastin e parë datonte që nga afiniteti i dukshëm, ndërmjet ish-ambasdorit Ruairi O’Connell e deri së voni. Madje ky shtet ishte dalluar me një gjuhë më të butë edhe ndaj aksioneve në veri të Qeverisë së Kosovës, gjatë mandatit të kaluar. Ish i dërguari i këtij shteti për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, thuajse asnjëherë nuk kishte përdorur të njëjtën gjuhë, në raport me këto aksione, sikur bie fjala, ish- i dërguari amerikan për këtë rajon, Gabriel Escobar, apo ish-shefi për politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe i dërguari i tij për dialogun Miroslav Lajçak, të cilët thuajse në mënyrë koherente, pas stagnimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, në funksion të normalizimit ndërmjet dy vendeve e patën akuzuar drejtpërdrejtë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për këtë dështim. Ndërkohë është e njohur deklarata e ish-Sekretarit britanik, David Cameron, i cili pak pas sulmit paramilitar dhe terrorist ndaj terrorit të Kosovës, nga Serbia, në fshatin Banjë me 24 shtator, se nëse përsëriten raste të tilla të ngjashme, trupat britanike në Kosovë duhet të luftojnë për të frenuar agresione të kësaj natyre.
Sa i përket mbështetjes gjermane një gjë e tillë është dokumentuar edhe nga vetë zyrtarë të lartë politikës së këtij shteti. Megjithatë, duket që muaji i mjaltit në mes këtyre shteteve dhe Albin Kurtit, po perëndon dita ditës. Pak ditë më parë, Ambasadori gjerman ne Kosovë, Jorn Rohde, duke komentuar dështimin e konstitumit të Kosovës, ka marrë një shembull interesant, duke ndërlidhur situatën politike me një lojë futbolli. Sipas tij, “edhe në një lojë futbolli, nëse dështon, duhet të ndërrohet lojtari”, duke nënkuptuar se sipas tij, është detyrë e partisë fituese ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, e jo që “opozita” të ndryshojë qëndrim.
Ndërkohë, në anën tjetër, pak qaste pas takimit të shteteve të QUINT-it javën e kalur, me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me qëllim kërkimin e rrugëve për zhbllokimin e Kuvendit, që sipas Ambasdorit francez në vendin tonë, Olivier Guerot, ishte iniciuar nga shefi i Qeverisë në detyrë, ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, zbarkoi në zyret e Prokurisë Speciale, për t’u takuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ku sipas komunikatës zyrtare thuhet se i pari e ka inkurajuar të dytën, sa i përket, “hetimeve dhe punës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë” Ndërkohë i njëjti dje është shprehur me tone shumë të ashpëra ndaj aksioneve në pjesën veriore. Jonathan Hargreaves, ka pohuare veprimet e fundit të autoriteteve kosovare në veri të vendit e minojnë pretendimin e Kosovës se të gjithë qytetarët e saj janë të mirëpritur e të mbrojtur. Dhe po ashtu akte të tilla u kanë mohuar fëmijëve dhe qytetarëve të zakonshëm nga komuniteti serb në Kosovë qasjen paqësore në shërbime të përditshme, si klubet sportive.
Sidoqoftë, në anën tjetër, nuk mund të mohohet fakti se në tërë këtë zallmahi, kohën e fundit SHBA-të, kanë qenë të rezervuara sa i përket deklarimeve publike në raport me këto zhvillime. A është kjo heshtje e këtij shteti me qëllime taktike, për t’i lënë Londrën dhe Berlinin që të ballafaqohen drejtpërdrejt me investimin që e kanë ndikuar në fuqizimin e Albin Kurtit, apo janë totalisht indifirente për zhvillimet në Kosovë, për shkak se tashmë ato kanë obligime tjera ndërkombëtare, që nga sigurimi i armëpushimit në Ukrainë, në rripin e Gazës, dakordimi i mundshëm me Iranin me qëllim që ky i fundit të distancohet njëherë e përgjithmonë nga ambiciet bërthamore e deri të menaxhimi i tensioneve tregtare me Kinën, mbetet të shihet? /TV Arbëria