20:19 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Osmani: Qytetarët po e paguajnë çmimin e bllokadës politike

Osmani: Qytetarët po e paguajnë çmimin e bllokadës politike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur rreth ngërçit politik të krijuar në Kosovë për shkak të moszgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit.

Osmani tha se si presidente është e shqetësuar për këto vonesa pasi sipas saj barrën e tyre e paguajnë qytetarët e Kosovës.

“Në Kosovë kemi pasur zgjedhje të lira e demokratike në shkurt të këtij viti dhe pas një periudhe janë certifikuar rezultatet zgjedhore. Më 15 prill është mbajtur seanca e parë e parlamentit, ku kanë filluar edhe përpjekjet e para për krijimin apo konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë. Tani ka kaluar më shumë se një muaj nga përpjekjet e para në këtë drejtim dhe fatkeqësisht ende nuk ka sukses. Mirëpo, edhe nëse e krahasojmë me shumë vende të ndryshme në Evropë, ka raste kur përpjekjet për krijimin e një koalicioni qeverisës zgjasin me muaj të tërë, pra nuk është jashtë normës evropiane. Kjo nuk do të thotë megjithatë qe ne nuk shqetësohemi për këto vonesa. Si president jam e shqetësuar për këto vonesa, sepse barrën e këtyre vonesave e paguajnë qytetarët e Kosovës. Me moskonsituimin e Kuvendit ne nuk arrijmë ta kemi një Kuvend funksional, ku mund të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe ka edhe dëme të shumta të cilat ne i mbajmë si barrë, si qytetarë të Kosovës për shkak të mungesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Unë jam besimplotë që partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, shumë shpejt do të arrijnë një marrëveshje për ta kaluar këtë situatë të tanishme, sepse sa herë e vendosin vendin si parësor, interesat e shtetit para gjithçka tjetër, gjithmonë zgjidhja politike është afër”, tha ajo.