Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot kongresistet Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan, të shoqëruara nga e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, dhe delegacionin e Kongresit të SHBA-së.
Në këtë takim, u diskutua për situatën politike dhe të sigurisë aktuale në vend, si dhe për thellimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me një fokus të veçantë në fushën e mbrojtjes, investimeve dhe avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Presidentja Osmani theksoi se partneriteti me SHBA-në është themel i stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Ajo theksoi se kur SHBA-ja ka luajtur një rol aktiv në rajon, janë arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe përparime të rëndësishme.
“Po ashtu, Presidentja shprehu falënderimet më të thella për prezencën e vazhdueshme të trupave amerikane në vendin tonë, duke theksuar se ky angazhim ka qenë themelor për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në momentet më të vështira. Ajo nënvizoi se ndihma dhe mbështetja amerikane, të ofruara që nga ditët më sfiduese, janë dëshmi e miqësisë së palëkundur dhe angazhimit të përbashkët për paqen dhe prosperitetin në rajonin tonë.”
“Duke falënderuar kongresistët për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara është po ashtu jetik për realizimin e synimeve euroatlantike të vendit, që mbeten qëllim i palëkundur për Republikën e Kosovës.”, thuhet në njoftim.