12:40 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Opozita “pajtohet” me vlerësimin e Kurtit për përmirësimin e gjendjes së sigurisë në veri

Opozita “pajtohet” me vlerësimin e Kurtit për përmirësimin e gjendjes së sigurisë në veri

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministri i Kosovës këto katër vitet e fundit, vazhdimisht është potencuar rreth të arriturave të qeverisjes së tij gjatë këtyre viteve, shkruan TV Arbëria.

Njëra nga “mburrjet” më të shpeshta të Kurtit është edhe sundimi i ligjit dhe sigurisë në veri të Kosovës.

Kurti dhe pjesëtarët e Vetëvendosjes vazhdimisht kanë deklaruar se veriu i Kosovës është “çliruar”.

Kështu ka deklaruar edhe së fundmi kryeministri në detyrë Albin Kurti:

“Progresi përgjatë viteve në raport me zvogëlimin e ndikimit të Serbisë, përmirësimi i situatës së sigurisë në katër komunat në veri, garantimi i lëvizjes së lirë, operimit të bizneseve, fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit atje, kanë ndikuar në një ambient me të sigurt, jo vetëm në katër komunat veriore, por edhe në vendbanimet tjera me shumicë serbe. Veriu i Kosovës nga një regjion me prani jo vetëm të terroristëve dhe kriminelëve serbë, por edhe një nga lokacionet më proruse, tashmë është stabilizuar dukshëm. Stabilizimi i situatës në këtë pjesë, ka ndikuar pozitivisht përveç sigurisë së përgjithshme të Republikës së Kosovës edhe në atë rajonale”

Ajo që bie në sy janë kundërreagimet në lidhje me këto deklarime.

Partitë opozitare duket se po “pajtohen” me këto konstatime, duke e marrë parasysh faktin që asnjëra nga partitë nuk ka pasur ndonjë reagim në lidhje me “çlirimin e veriut”.

Nëse mund ta përjashtojmë Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku deputetja Hykmete Bajrami së fundmi përmes një reagimi ka thënë se “të gjithë e dimë se çfarë ka ndodh me veriun”.
Bajrami thotë se qeveria Kurti i ka humbur në dëm të Kosovës pesë vite.

“Përfshirja në mafinë energjetike, në korrupsion dhe lidhjet e tij me njerëz që merren me drogë nuk pastrohen me flamur kuq e zi dhe as me tregime fiktive për veriun. Krejt e dimë çka ka ndodhur në veri. Në emër të normalizimit të situatës një ditë, jo larg, atje do të kthehen në punë policët, prokurorët, gjyqtarët dhe zyrtarët e administratës që janë dorëhequr. E kur kjo të ndodhë ne kthehemi në kohën kur kryenegociatore ishte Edita Tahiri apo jo? Kjo do të thotë që i ke humbur Kosovës 5 vjet kohë, e ke futur vendin nën sanksione dhe i ke humbur Kosovës gjënë me të çmuar, përkrahjen aleatëve tanë më të rëndësishëm. KY ËSHTË ”REZULTATI” YT NË VERI, ASNJË TJETËR “, ka shkruar Bajrami.

Në anën tjetër, dy partitë e tjera, PDK dhe AAK, kanë zgjedhur të heshtin në këtë drejtim, pa ndonjë reagim apo argumentim rreth kësaj teme. /TV Arbëria