Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarit A.L (42-vjeçar), nën dyshimin se ia dogji garazhin redaktorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Alban Selimi.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ndryshe, rasti ndaj gazetarit Selimi kishte ndodhur të enjten në mbrëmje, të cilin e kishte bërë të ditur vetë Selimi përmes një postimi në Facebook.
“Dikush ia vuni flakën; mem m’frikësu. S’ia arijnë qëllimit”, kishte shkruar Selimi në Facebook.
Lidhur me këtë rast, i dyshuari A.L ishte arrestur të shtunën nga Policia e Kosovës.“Sot hetuesit e stacionit policor të Fushë Kosovës, kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën zjarrvënie të raportuar me datën 16.03.2023, në Fushë Kosovë. Personi i arrestuar: A. L mashkull, 42 vjeç”, thuhej në njoftimin e policisë.
/TV Arbëria