17:58 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Një Evropë dhe Lindje e Mesme që duhet çliruar nga Rusia

Një Evropë dhe Lindje e Mesme që duhet çliruar nga Rusia

Nga Agron Hoti

Përderisa Rusia po përpiqet t’ia gllabërojë Ukrainës komplet daljen në Detin e Zi, ndërsa Ukraina si kundërpërgjigje po ia del ta sulmojë Rusinë edhe në brendinë më të thellë të saj, në anën tjetër në Lindje të Mesme është Irani ai që po mundohet ta shtrijë ndikimin e tij në botën arabe (Palestinë, Liban, Jemen, Siri, Irak), përmes së cilës synon ta zhdukë Izraelin nga faqja e dheut.

Pra, përderisa Rusia përmes përpjekjeve të saj për ta pushtuar Ukrainën po përpiqet t’i shtyjë kufijtë e saj të ndikimit sa më thellë në Evropë mundësisht deri në Oqeanin Atlantik, të njëjtën gjë po bën ajo përmes Iranit për të dalë e lirë në Oqeanin Indian.

Zhdukja e Izraelit (sipas Iranit) nga faqja e dheut do t’ia linte Iranit duart e lira në Lindje të Mesme. Kjo përpos që do të nënkuptonte fundin e botës arabe dhe pse jo edhe të Turqisë, do të thoshte edhe dalje e lirë të Rusisë në Oqeanin Indian që është urë lidhëse mes Oqeanit Atlantik dhe Oqeanit Paqësor.

Nëpër Oqeanin Indian kalojnë rrugët kryesore detare në glob mes lindjes dhe perëndimit, si dhe kalojnë kabllot kryesore nën deti që lidhin lindjen me perëndimin. Përderisa Rusia është frenuar tashmë, pra nuk po ia del ta pushtojë Ukrainën e më pas edhe Evropën, njëjtë është duke u frenuar ajo në Iran dhe shtete arabe si satelite të këtij të fundit.

Përparësia e SHBA-së në gjithë këtë luftë parandaluese në Evropë dhe Lindje të Mesme është se superfuqia e saj nuk është duke pasur nevojë që të përfshihet vetë drejtëpërdrejtë në luftë si në Ukrainë (Evropë) ashtu edhe në Iran (Lindje të Mesme). Mbështetja që SHBA dhe Perëndimi po i japin Ukrainës dhe Izraelit ka rezultuar të jetë plotësisht e suksesëshme, sepse Ukraina e ka frenuar tashmë Rusinë në Evropë, kurse Izraeli ka frenuar Iranin e nxitur nga Rusia në Lindje të Mesme. Ashtu siç lufta në Ukrainë është duke vazhduar t’ia bjerrë potencialin kërcënues të Rusisë në Evropë, njëjtë do të vazhdojë lufta mbrojtëse e Izraelit t’ia bjerrë Iranit potencialin kërcënues në Lindje të Mesme.

E sa i përket përmasave luftarake, edhe pse ende jo zyrtarisht, në praktikë përmasat e kësaj lufte janë pothuajse sa të Luftës së Dytë Botërore (L2B) e ndoshta më të mëdha sesa në Luftën e Parë Botërore (L1B). Sepse nëse një Ukrainë (e mbështetur nga Perëndimi) që për nga sipërfaqja është gati sa Franca dhe Gjermania, pastaj nëse edhe një Rusi dhe Lindje e Mesme (të mbështetura dhe nga Kina) janë në luftë, atëherë as në L2B s’kishte shumë më shumë përfshirje të njëkohëshme të kaq shumë territori.

E SHBA do të vazhdojë t’ia bjerrë potencialet e kërcënimit rus në Evropë dhe Lindje të Mesme deri në përmbysje regjimesh në Rusi dhe Iran, në mënyrë që Kina mos ta ketë shpinën e ruajtur në Perëndim të saj nga Rusia dhe Irani. E kur kjo do të ndodhë, atëherë SHBA do ta ketë shumë më lehtë ta sfidojë Kinën në lindje dhe juglindje të saj duke kombinuar, kështu, fuqinë ushtarake të saj me aleancat dhe partneritetet në Azi Jugore, Lindore dhe Juglindore apo në atë rajon që quhet Indo-Pacifik, për ta rrethuar, kështu, Kinën, në mënyrë që kjo e fundit të jetë sa më e izoluar nga supremacia amerikane.

Ndaj, duke i shikuar këto përmasa luftërash e tensionesh, çdokush duhet ta kuptojë që ardhja e Kryetarit Trump 2, pra e një Kryetari hapur transaksional, veç e rastit nuk ishte. Dhe kushdo që në Evropë apo Lindje të Mesme mendon se nuk është aktualisht në luftë, atëherë ai apo ajo e ka ngatërruar planetin. Dhe kjo gjendje do të vazhdojë derisa në Rusi dhe Iran të shpërthejnë trazira brendshme, të cilat do të zgjasnin deri në përmbysjen përfundimtare të regjimeve kriminale në këto dy vende armike të Perëndimit dhe popullit shqiptar.