Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, ndërsa në rastin e dytë një person, të dyshuar për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.
“Në rastin e parë ka ndaluar katër femra, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Zubin Potok / 08.02.2025 – 14:00. Janë arrestuar kater të dyshuara femra kosovare për shkak se të njëjtat dyshohet se e kishin thirrur në telefon një ankues/e, dhe i kishin kërkuar ta votojë një subjekt politik, në të kundërtën do t’ia ndalnin ndihmën sociale. Në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit objektin e Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok janë sekuestruar një aparat telefonik dhe listat me emrat dhe numrat e personave që dyshohet se janë kontaktuar me qëllimin e njëjtë. Në konsultim me prokurorin pas intervistimit të dyshuarat janë dërguar në mbajtje”.
Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”
“Sheshi Car Llazar, Mitrovicë Veri / 08.02.2025 – NN. Është arrestuar i dyshuari/k, se i njëjti i kishte thënë ankuesit/k se nëse nuk e voton një subjekt të caktuar politik do ta largojë nga puna vajzën e ankuesit. Në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar një llap-top dhe dy telefona. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”
Në njoftim thuhet se prokurorët e Shtetit, të cilët po kujdestarojnë sot, do të veprojnë me urgjencë në secilin rast që mund të paraqitet me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme gjatë këtij procesi zgjedhor.
“Prokurori i Shtetit sërish i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.”