Shkruan: Afrim Kasolli
Për ta kapur më rrokshëm nënshtrimin e disa prej segmenteve kryesore të shoqërisë, veçanërisht atyre strukturave që kanë obligim ta mbrojnë interesin publik, ndaj shpërdorimeve të mundshme të pushtetit, mjafton të analizohet heshtja “akademike” nga shndërrimi i ambienteve të Universitetit të Prishtinës në hapësira për aktivitete partiake të Lëvizjes Vetëvendosje. Asnjëherë që nga përfundimi i luftës në Kosovës nuk ka ndodhur që në sallat e brendshme të këtij institucioni të jenë mbajtur aktivitete të tilla. Me këtë nuk them se politika nuk ka pasur ndikim në proceset e brendshme në Universitet. Por jo kaq hapur dhe në këtë mënyrë brutale.
Sidoqoftë, edhe përkundër këtij abuzimi, asnjë reagim kritik, kundërshtim, apo mospajtim nga stafi akademik. Përkundrazi, strukje totale.
Në fund të fundit, as ky shndërrim i sallave të ambienteve të Universitetit në çerdhe partiake, nuk do të ishte edhe aq skandaloz, sikur vendimi për ta lejuar një gjë të tillë nuk do të ishte marrë dy ditë para se Lëvizja Vetëvendosje ta mbante takimin e Këshillit të Përgjithshëm. Pra shihet qartë, se organet drejtuese të këtij institucioni janë përkujdesur me përpikëri që ta krijojnë bazën legale për t’i shërbyer pushtetit. Një relacion ky që e shndërron infrastrukturën juridike në instrument të pastër të superstrukturave politike. Në vend se të jetë e kundërta.
Për më shumë as partia në pushtet këtë përzgjedhje nuk ka e bërë rastësisht. Ajo sot është formacioni me resurse të jashtëzakonshme financiare. Dhe ka pasur mundësi që ta kontraktojë çdo ambient tjetër shumë më komod. Por tash ka vendosur që t’i radikalzojë ideosinkrazitë e Albin Kurtit, se si kjo parti e formëson matriksën e teorisë me praktikën, të doktrinës me politikën dhe të vërtetës me realitetin. Ku e para, tashmë flet nëpërmjet fitoreve elektorale të Kurtit.
Prandaj, sipas gjykimit të eksponentëve të kësaj partie, kjo e dallon edhe këtë subjekt nga të tjerat. Sepse këto të fundit evente të tilla i mbajnë në hotele luksoze, ngase nuk janë asgjë tjetër, pos formacione agregate private. Kurse, e vërteta publike dhe historike e kësaj shoqërie duhet të kumtohet nga ai që është mishërim i saj dhe pikërisht nga ai vend që ka për detyrë ta përcojë atë.
Në këtë kontekst, gatishmëria e strukturave drejtuese të Universitetit të Prishtinës për ta pranuar këtë rol si dhe heshtja e stafit akademik ndaj këtij tjetërsimi, tregon për pajtimin e tyre me këtë narracion ideologjik të Albin Kurtit, ku siç duket tashmë për ta e vërteta dhe e drejta është e lidhur me pushtetin.
Mbase ky fakt e shpjegon edhe njërin nga shkaqet kryesore se pse ende sot e kësaj dite narracioni i Albin Kurtit vazhdon të mbetet dominant në këtë shoqëri. Dhe për më tepër pse rezistenca ndaj tij thuajse është e “pamundur”. Sepse ata që kanë për detyrë të shndërrohen në apologjet të “arsyes publike” e kanë tjetërsuar këtë aktivitet në medium për karrierë private.