Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Perparim Rama për dezinformim lidhur me ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.
Sipas MKRS-së Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë dje (28 prill) ka raportuar se punimet nga Komuna janë realizuar jashtë kufirit të zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës, prandaj edhe nuk ka pasur masë të ndalimit të punimeve nga Inspektorët e trashëgimisë kulturore.
MKRS-ja ka ftuar organet e drejtësisë të veprojnë urgjentisht për të sjellë para përgjegjësisë këdo që ndodhet në shkelje të ligjit, pavarësisht cilit institucion i takon dhe siç thuhet ‘të ndalojë ky spektakël i dëmshëm për vlerat e ligjshmërisë të cilin qytetarët dhe sidomos kryeqytetasit, nuk e meritojnë’.
“Institucionet e trashëgimisë kulturore, do të kryejnë detyrën e tyre zyrtare. Një nga ato, është ndalimi i punimeve pa leje, i miratuar nga institucioni kompetent sipas ligjit, pavarësisht a është në anën tjetër, biznesi, OJQ-ja, personi fizik, bashkësia fetare apo edhe institucioni publik sepse para ligjit, të gjithë kanë të drejta dhe detyra të barabarta. Pajisuni me leje dhe punoni, mbase edhe ju ndihmojmë me, e për çdo gjë. Pa leje, mos filloni. Përsëri ne do të veprojmë”, thuhet tutje.