Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > Ndahet nga jeta në moshën 58-vjeçare, Artan Lame. Rama: Jam pa fjalë!

Ndahet nga jeta në moshën 58-vjeçare, Artan Lame. Rama: Jam pa fjalë!

Është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare Artan Lame, një nga emrat më të njohur të jetës publike dhe politike shqiptare.

A2 CNN ka raportuar se Lame ndërroi jetë në Mynih, ku kishte shkuar për një ndërhyrje në zemër.

Lame ka drejtuar për disa vite Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI), si dhe ka mbajtur poste të tjera shtetërore, duke qenë i angazhuar për një kohë të gjatë në radhët e Partisë Socialiste.

Përveç karrierës politike, ai ishte një figurë aktive në sferën publike si publicist, opinionist dhe studiues i historisë shqiptare. Lame njihej edhe për përkushtimin ndaj mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të vendit.

I lindur në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, Artan Lame la gjurmë të rëndësishme si pjesë e shoqërisë civile dhe administratës shtetërore. Ndarja e tij nga jeta është një humbje për opinionin publik dhe komunitetin intelektual shqiptar.

E Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me trishtim për ndarjen nga jeta të Artan Lames, i cili vdiq në moshën 58-vjeçare pas një ndërhyrjeje në zemër në Mynih, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një mesazh ngushëllimi, Rama e cilësoi humbjen e Lames si “të pabesueshme”, duke thënë shkurt: “Jam pa fjalë”.