Kryetari i Prishtinës Përparim Rama i ka dhuruar sot Çelësin e Qytetit aktivistes për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq, për rolin e saj në dokumentin e krimeve serbe gjatë luftës në Kosovë.
Rama vlerësoi lart figurën e Kandiq duke shtuar se ajo ka kaluar mbi tri dekada duke dokumentuar krimet dhe duke punuar për t’i sjellë kriminelët e luftës para drejtësisë.
Ai theksoi se me këtë akt simbolik duan t’i shprehin falënderimet ndaj saj për mbrojtjen e së vërtetës dhe drejtësisë, raporton KosovaPress.
Aktivistja për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq theksoi se ndjehet e nderuar për dhurimin e Çelësit të Qytetit të Prishtinës.
Ndryshe, Kandiq gjatë gjithë luftës në Kosovë udhëtoi nëpër Serbi, duke ofruar informacione për shkeljet e të drejtave të njeriut që po kryheshin nga policia dhe ushtria serbe.
Ajo dhe stafi i saj u kërcënuan në mënyrë anonime për punën e tyre dhe zyra e tyre ishte lyer me një svastikë dhe mesazhin “spiunët e NATO-s”.
Provat që ajo mblodhi u përdorën më vonë në përgatitjen e aktakuzave nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Kandiq është fituese e më shumë se 20 çmimeve ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare për të drejtat e njeriut.