Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Na i kanë vrarë krejt familjen dhe i kanë djegur” – Muqolli tregon si e mori lajmin për masakrën e Poklekut nga axha i tij

“Na i kanë vrarë krejt familjen dhe i kanë djegur” – Muqolli tregon si e mori lajmin për masakrën e Poklekut nga axha i tij

I mbijetuari nga masakra e Poklekut, Fadil Muqolli, në emisionin “Përtej Tregimit” në TV Arbëria, ka treguar për tmerret që ka përjetuar gjatë kësaj masakre.

Muqolli, të cilit iu vra e gjithë familja gjatë kësaj masakre, tregoi se lajmin e mori nga axha i tij.

“Lajmin për këtë masakër ma dha axha, Ilmia, dhe e takova në mal. E pash që diçka kishte ndodhur, unë gjithmonë duke menduar që vëllai ishte vrarë, sepse ishin ushtarë. I thashë, ‘Fol çka ka ndodhur?’ Ai më tha, ‘Duhet me u bë fortë se ka ndodhur diçka shumë e madhe.’ Më tha, ‘Na i kanë vrarë krejt familjen dhe i kanë djegur.’ Ishte diçka e paimagjinueshme. E pyeta, ‘Po e di çka po thu?’ Ishte diçka që nuk e besoja. Momente të rënda. E përqafova vëllain, jemi ulur dhe vëllai më tha, ‘Ata janë shku, por ne jemi mbetur dhe vetëm ty të kemi.’”, ka thënë Muqolli.

Muqolli gjatë intervistës rrëfen atë që ka parë dhe dëgjuar nga kjo masakër, duke treguar momentin kur shkuan tek shtëpia e djegur pas masakrës.

“Kanë qenë trupa të djegur shumë, vetëm kockat ishin mbetur. Ka ardhur Gazmend Elshani dhe ka fotografuar dhomën. Gazmendi ka ecë dhe ata atë natë e kishin djegur krejt dhomën dhe krejt shtëpinë, serbët, dhe kishin tubuar të gjitha eshtrat në skajin e dhomës, duke i përgatitur për t’i marrë.

Ne morëm një bateri të veturës dhe një mbulesë, shkuam dhe e mbyllëm dritaren me mbulesën, që mos të dukte drita. I tubuam eshtrat, i vendosëm në dhomë, dhe i morëm e i çuam në mal, ku i vendosëm aty, dhe ata qëndruan deri pas përfundimit të luftës”, ka thënë ai.

Ndiqni rrëfimin e plotë: