Paralelisht me angazhimin e zyrave diplomatike të vendeve Quintit në kërkim të një zgjidhje politike lidhur me bllokadën e Kuvendit të Kosovës, po ashtu është aktivizuar edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani. Kjo e fundit, pas disa “shëtitjeve diplomatike” në disa shtete të ndryshme të botës, më në fund i është drejtuar subjekteve parlamentare, për një takim konsultativ me motiv shtegdaljen nga gjendja ku është katandisur seanca konstituive e Kuvendit. Ky takim është paraparë që të mbahet nesër, kur po ashtu edhe zhvillohet përpjekja e 16-të për votimin e krye parlamentarit. Se sa do të ketë sukses ky tentim i të parës së shtetit për të ofruar një dritë në fund të tunelit mbetet të shihet?
Mirëpo, gjasat janë shumë minimale.
E para sepse bllokade aktuale, siç e kam potencuar në disa shkrime është pasojë e një krize më të thellë politike, e cila daton së paku që nga viti 2014, në agravimin e së cilës me retorikën populiste ka dhënë jo pak kontribut edhe para e shtetit. Sjellje këto që e kanë shndërruar atë më shumë në militante të një pale, se sa një autoritet mbi grupet antagoniste. Dhe e dyta, kjo bllokadë ka të bëjë më mungesën e guximit të subjekteve politike për t’u ballafaquar më të ardhmen dhe atë që e pret Kosovën, për çka edhe më shumë janë duke preferuar pritjen dhe rrethanat fatlume me shpresën se nga kjo situatë do të arrijnë ta dëmtojnë njëra-tjetrën. Prandaj edhe janë duke preferuar mosveprimin. Kështu, secila prej subjekteve politike nesër shkon në zyrën e presidentes së shtetit me qëndrime krejtësisht të papajtueshme për të atë se si duhet të gjendet një solucion për të ecur më tutje. Lëvizja Vetëvendosje niset nga supozimi se në Kosovë, nuk ka krizë politikë dhe institucionale. Përkundrazi, stabiliteti katër vjeçar qeverisës po i duket “opozitës” si krizë, sepse sipas Albin Kurtit, ato nuk janë mësuar me këtë realitet. Po ashtu, lideri i këtij subjekti nuk ka dhënë asnjë shenjë, së është i gatshëm ta pranojë kërkesën e “opozitës” për ta nominuar një kandidat tjetër për krye-kuvendar, siç po kërkohet nga subjektet tjera parlamentare Partia Demokratike e Kosovës, përpos që ia ka vendosur vetës si mision të mos perceptohet ashtu si e ka definuar Kurti, e mbron idenë e krijimit të një ekzekutivi “opozitar”.
Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës, nga qëndrimi i para pak ditëve së është e ndryshme nga të gjitha subjektet politike në vend, dhe se si e tillë ajo bërën thirrje për rezistencë e refuzim të modelit të deritanishëm politik, pas ftesës së partisë fituese të zgjedhjeve për bashkëqeverisje, e ka artikular projektin e një bashkëqeverisje unike politike, të paktën deri në zgjedhjen e presidentit vitin e ardhshëm. Edhe ky propozim i LDK-së nuk është asgjë tjetër, pos rezultat i frikës për ta ndërtuar një koalicion të vetëm me Vetëvendosjen, por edhe për ta refuzuar atë.
Prandaj, shpëtimin ka filluar ta kërkojë në skemat e unitetit romantik politik. Propozim ky, që është refuzuar si Lëvizja Vetëvendosje, ashtu edhe nga subjektet tjera parlamentare, e para me arsyetimin se nuk ka interes ta ndajë pushtetin me PDK dhe AAK, kurse këto dy të fundit sepse synojnë ta lënë në opozitë partinë fituese të zgjedhjeve.
Në këtë kontekst, e para e shtetit është e privuar si në aspektin kushtetues ashtu edhe politik që të mund ta determinojë një rrjedhë tjetër të ngjarjeve nga ky rreth vicioz ku partitë politike e kanë bllokuar vetën. Kjo krizë është politike dhe zgjidhja e saj mund të gjendet vetëm politikisht.